Fitore bindëse e VMRO-DPMNE, shqiptarët ‘pikë e pesë’: Kush triumfoi në Maqedoni të Veriut?

Maqedonia e Veriut dje iu nënshtrua zgjedhjeve lokale.

Atje, shënoi fitore absolute VMRO-DPMNE.

Partia do të ketë kryetarë komunash në 30 nga gjithsej 80 komuna, dhe pret që në rundin e dytë të fitojë edhe në rreth 20 të tjera, përfshirë edhe qytetin e Shkupit.

“Premtuam fitore, kemi fitore”, deklaroi kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Mickoski gjithashtu konfirmoi se nuk ka ndërmend të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, pavarësisht insistimit të opozitës nga BDI, dhe theksoi se “politikat e etnocentrizmit janë mposhtur.”

Opozitarja LSDM pësoi edhe një humbje pas zgjedhjeve të vitit të kaluar – atyre parlamentare dhe presidenciale.

Tek shqiptarët, Lëvizja VLEN fitoi garën në Çair dhe Tetovë. Izet Mexhiti e Bilall Kasami shënuan fitore bindëse, megjithatë në Tetovë pritet të ketë balotazh.

Kandidati i BDI-së për Çair, Bujar Osmani, e ka uruar Izet Mexhitin për fitoren.

Koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim e udhëhequr nga BDI, fitoi zgjedhjet për kryetarë komunash në Gostivar, Likovë, Çashkë dhe Plasnicë që në rundin e parë – njoftoi nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi.

Por ata që humbën, duket se ishin shqiptarët. Në Kërçovë për shembull, garuan me tre kandidatë, dhe u mposhtën nga kandidati i VMRO-DPMNE.

Lëvizja VLEN sulmoi Ali Ahmetin duke i kërkuar të pensionohet. Njëjtë siç bëri edhe Bilall Kasami.

“AKI kërkoi që shqiptarët të dalin në referendum dhe ne iu përgjigjëm të gjithë atyre dhe dolëm në referendum, andaj të gjithë shqiptarët votuan pa hezitim, mbështeten VLEN-in, ia dhanë përgjigjen Ali Ahmetit dhe i bëj ftesë nga këtu: të bëhet burrë dhe të jap dorëheqje, pasi që referendumin e bën shqiptarët dhe VLEN-i ka fituar në të gjitha komunat shqiptare”, tha deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi në një konferencë për media.

Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, shpalli fitore në më shumë se 30 komuna të Maqedonisë së Veriut, përfshirë edhe Strumicën – bastion tradicional i LSDM-së. Ai e cilësoi këtë rezultat si historik, duke theksuar se partia e tij e ka pritur këtë moment për gati dy dekada.

Ai shtoi se dy javët e ardhshme do të jenë vendimtare për të përmbyllur “ndryshimin që ka nisur”, duke paralajmëruar se çdo votë e papërdorur ndihmon “ata që e shkatërruan shtetin”.

“Këtë fitore e ndërtuam hap pas jhapi, jo me premtime por me punë. Shteti duhet të ecë përpara dhe se e ardhmja nuk duhet të pritet për të krijohet. Rruga nuk është e lehtë. Sonte nuk festojmë por premtojmë se do të punojmë edhe më tepër. Çdo votë do ta shndërrojmë në punë”, tha Mickoksi. Para nesh ka edhe dy javë, dy javë ku duhet ta rrethojmë ndryshimin që e filluam. Çdo votë që do të mbetët në shtëpi është votë për ata që e shkatërruan shtetin. Kemi fitore në mbi 30 komuna që në raundin e parë, dallimi është 2:1, diku edhe 3:1. Fituam bindshëm në raundin e parë në Strumicë, 20 vjet e kemi pritur këtë ditë. Kemi fitore dhe në Dellçevë dhe Berovë, në Manastir, Shtip, Kavadar, Gjevgjeli, Sveti Nikollë, Ohër, gazi Babë, Gjorçe Petroc, Resnjë e kështu me radhë, mbi 30 komuna”, deklaroi Mickoski.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve njoftoi se deri në orën 18:30 pjesëmarrja e votuesve ishte 46,48 për qind, çka është afër nivelit të rundit të parë të zgjedhjeve të mëparshme, kur kishte arritur 51,44 për qind.

Sipas listës zgjedhore, të drejtë vote kishin 1.832.415 qytetarë.

Për 81 poste të kryetarëve të komunave garuan 309 kandidatë, ndërsa për vendet në këshillat komunalë konkurruan mbi 10.490 kandidatë nga gjithsej 576 lista.

Një veçori e këtyre zgjedhjeve është se meshkujt dominojnë në garën për kryetar komune – 277 kandidatë ose 89,64%, ndërsa gratë janë vetëm 32, që përfaqëson 10,36% të numrit të përgjithshëm.