Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ka marrë një vendim që e vë në pozitë të palakmueshme Zyrën e Presidentes së Kosovës, shkruan Demokracia.com.
KPMSHCK, ka konstatuar se Presidenca ka vepruar në kundërshtim me ligjin kur ka zhvilluar konkursin për pozitën “Udhëheqës i Divizionit për Politika të Sigurisë dhe Mbrojtjes”, dhe për këtë arsye e ka anuluar tërësisht procedurën e rekrutimit, si dhe çdo akt që ka rrjedhur prej saj.
Sipas vendimit të datës 2 tetor 2025, Këshilli ka aprovuar si të bazuar ankesën e një kandidati pjesëmarrës në konkurs, duke vlerësuar se vendimet për shpalljen e konkursit dhe për themelimin e komisionit të pranimit janë marrë nga një zyrtar pa kompetencë ligjore, konkretisht nga Ushtruesi i Detyrës së Sekretarit të Zyrës së Presidentes, i cili, sipas ligjit, nuk kishte më të drejtë të ushtronte këtë funksion.
Në vendim theksohet se pozita e Sekretarit të Zyrës së Presidentes është mbuluar me ushtrues detyre që nga dhjetori i vitit 2020, dhe se pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Zyrtarët Publik më 25 shtator 2023, vazhdimi i këtij ushtrimi përtej afatit ligjor njëvjeçar përbën shkelje të plotë të ligjit.
Këshilli thekson qartë se “çdo vendim i marrë nga ushtruesi i detyrës pas kalimit të afatit njëvjeçar është i paligjshëm”.
Në këtë mënyrë, sipas interpretimit të Këshillit, Zyra e Presidentes ka funksionuar për më shumë se katër vjet me një sekretar të përkohshëm, dhe ky person ka marrë vendime që kanë prodhuar pasoja juridike, përfshirë edhe procedura rekrutimi që tashmë janë shpallur të pavlefshme.
Në arsyetimin e vendimit, Këshilli i Pavarur ka cituar edhe Gjykatën Supreme, e cila në një rast të mëparshëm ka konstatuar se çdo akt i nxjerrë nga një udhëheqës në cilësinë e ushtruesit të detyrës pas kalimit të afatit të përcaktuar është “i pavlefshëm në thelb, për shkak të mungesës së kompetencës ligjore”.
Ky rast zbulon një neglizhencë të thellë institucionale brenda Presidencës, ku për më shumë se katër vite një pozicion kyç administrativ është mbajtur në mënyrë të përkohshme dhe në kundërshtim me ligjin. /Demokracia.com/