Po zhgënjen me Liverpool, Xabi Alonso është gati ta sjellë te Real Madrid të preferuarin e tij

Florian Wirtz nuk e ka gjetur ende rrugën e duhur drejt suksesit në Premier League. Te Liverpool ai po përpiqet të kapërcejë barrën e pritjes së madhe që rrjedh nga çmimi i tij i lartë i transferimit këtë verë, pas sukseseve që arriti te Bayer Leverkusen.

Mesfushori-sulmues gjerman, i vlerësuar rreth 150 milionë euro, deri më tani ka dhënë performanca zhgënjyese për “reds”, duke bërë që një pjesë e madhe e opinionit publik ta shohë me sy të keq.

Kjo është veçanërisht e vërtetë sepse 22-vjeçari ende nuk ka shënuar asnjë gol ose nuk ka dhënë një asist në nëntë paraqitje në Premier League dhe Champions League. Por ka nga ata që do të donin ta kishin menjëherë në skuadër.

Ai është Xabi Alonso, ish-trajneri i tij te Leverkusen dhe tani te Real Madrid. Sipas portalit spanjoll “Defensa Central”, trajneri i “merengues” nuk e ka harruar Wirtz, të cilin e drejtoi nga viti 2022 deri në vitin 2025 dhe do të donte ta sillte nën drejtimin e tij te Real.

Trajneri spanjoll është i vetëdijshëm për vështirësitë me të cilat po përballet Wirtz në “Anfield” dhe se si ai shpesh kritikohet nga legjendat e klubit dhe tifozët. Ndaj, Alonso i ka kërkuar menaxhmentit të “los blancos” të monitorojë situatën përreth lojtarit.

Nëse ish-lojtari i Bayer Leverkusen do të konsideronte një transferim në fund të sezonit, Real Madrid do të ishte gati të ndërhynte, duke e konsideruar atë një mundësi të mirë, veçanërisht duke pasur parasysh marrëdhënien e tij të fortë me Xabi Alonso.

The post Po zhgënjen me Liverpool, Xabi Alonso është gati ta sjellë te Real Madrid të preferuarin e tij appeared first on Telesport.