Visar Ymeri: VV dështoi në kuvendet komunale

Analisti politik, Visar Ymeri ka komentuar rezultatet e zgjedhjeve lokale, duke theksuar se zhvillimet e fundit nuk përbëjnë befasi, megjithëse ka pasur lëvizje të vogla në disa komuna.

“Rezultatet e balotazhit nuk kanë qenë të papritura. Deri diku ka pas lëvizje të rezultatit, afërsi në mes të kandidatëve, por në përgjithësi është ditë që ka me ardhë qetu”, ka deklaruar Ymeri, duke shtuar se tashmë dihet cilët kandidatë kanë përparësi në raundin e dytë.

Ai në “VV Show” veçoi garën për kryetar të Mitrovicës si një nga më interesantet të këtij procesi zgjedhor.

“Siç ka qenë edhe fushata, një prej garave më interesante ka qenë Mitrovica, edhe në rezultat u dëshmu e tillë. Që i kishim ato mospërputhjet në exit pollet dhe rezultatet përfundimtare por edhe tash me rinumërimin e votave, ajo që po shihet deri tash, dallimi mes kandidatëve është pak më i madh sesa që ka dalë në rezultate preliminare. Në përgjithësi mendoj që ka qenë rezultat i mirë”, tha Ymeri.

Megjithatë, sipas tij, një nga befasitë më të mëdha të këtyre zgjedhjeve ka qenë performanca e dobët e Lëvizjes Vetëvendosje në asambletë komunale, pavarësisht rritjes së votës për disa kandidatë për kryetarë komunash.

“Befasi ka qenë performanca jashtëzakonisht e dobët e Lëvizjes Vetëvendosje në nivelin e kuvendeve komunale krahas një rritje të votës për kandidatë, siç është Fushë Kosova. Mbase LVV në këto zgjedhje, si partia më e madhe në vend, ka dalë pak më mirë me kandidatë për kryetar të komunave, por çuditërisht ka ra si organizatë, si organizim lokal, sepse asambleja komunale varet shumë prej organizimit lokal”, shtoi Ymeri.