Mbyllen vendvotimet në Maqedoni të Veriut

Në orën 19:00, u mbyllën qendrat e votimit ku qytetarët mund të votonin sot në zgjedhjet e teta lokale dhe të katërtat ku zgjedhin kryetarë bashkie dhe lista këshilltarësh në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit.

Pas mbylljes së qendrave të votimit, do të mund të votojnë vetëm ata që në atë moment ndodheshin në objektin ku po zhvillohej votimi.

Ndërkohë, pas mbylljes së votimeve Arbër Ademi nga koalicioni “Aleanca Kombëtare për Integrim”, tha se ata si koalicion i vlerësojnë zgjedhjet si të lira, fer dhe demokratike.

Me reagim ka dalë edhe kandidati i VLEN-it për Komunën e Tetovës, Bilall Kasami, i cili në një postim në rrjetet sociale u ka bërë thirrje vëzhguesve që të janë syçelë dhe të përkushtuar deri në fund.

“Tetova foli. Tani është radha e komisionerëve dhe vëzhguesve ta ruajnë votën e qytetarëve, deri në votën e fundit! Ju ftoj të qëndroni syçelë dhe të përkushtuar deri në fund”, ka shkruar Kasami.