Për Demokracinë në Veprim, rezultati i zgjedhjeve të 12 tetorit është prej më interesanteve në historikun e zgjedhjeve lokale në Kosovë.
Eugen Cakolli bën një analizë të rezultatit nëpër komuna dhe partitë që kanë shkuar në balotazh.
“Rezultati i zgjedhjeve lokale të 12 tetorit konsideroj që është prej më interesanteve që kemi pasur, mbase në historikun e zgjedhjeve lokale në Kosovë. Në radhë të parë për shkak të numrit më të madh të komunave që kanë arritur të përfundojnë pa balotazh, ndonëse për disa prej tyre ende nuk është definitive për shkak se ka komuna ku numri i votave jashtë vendit është aq i madh saqë mund të jetë përcaktues se a do ketë balotazh a jo. Pra, ta zëmë ka komuna si, shembull si Juniku që me votat e diasporës edhe mund të mbyllet edhe pa balotazh, ngjashëm sikur komuna e Gjilanit, por në anën tjetër ka komuna ku të paktën teorikisht mbi bazën e numrit të votave që janë të regjistruara nga jashtë vendit, edhe pse jo të gjithë votojnë, ekziston mundësia që të kemi balotazh në disa prej tyre, sikur Kamenica dhe disa prej tyre. Megjithatë, ajo që e karakterizon këtë proces zgjedhor është një garë tepër e ashpër në shumicën e qendrave kryesore, përjashto këtu ta zëmë në mesin e qendrave të mëdha Ferizajn që arriti të përmbyllet në raundin e parë. Në anën tjetër në të gjitha komunat e tjera në përjashtim deri diku të Gjilanit që mund të përfundojë pa balotazh dhe eventualisht Gjakovës ku dallimi është më i madh, në të gjitha komunat tjera, gara është jashtëzakonisht e ashpër, ta zëmë në Prishtinë, po flasim për një rezultat që me votat e diasporës, vendoset se cili do hyjë në garë si i pari e cili si i dyti. Në anën tjetër edhe komunat e tjera si ajo e Fushë Kosovës, Obiliqit, Dragashit dhe një pjesë e mirë ë komunave të tjera pa dashur të harrojë ndonjë prej tyre, pritet të kenë një garë jashtëzakonisht interesante, sidomos në komuna ku kryetari aktual i cili potencialisht garon, ka qenë në mandate të njëpasnjëshme prej disa viteve tani që ndonëse mund te interpretohet si kapital e bartë me vete edhe rrezikun që të konsiderohet si konsumim i kandidatit për një periudhë kaq të gjatë kohore”, ka thënë ai.
Cakolli vlerëson se pati befasi në disa komuna sa i përket rezultatit, e që po ashtu befasi mund të sjell edhe balotazhi.
“Besoj që ka pasur disa befasi, konsideroj që befasi është përmbyllja e dy komunave kryesore në vend pa balotazh, në këtë rast Ferizaj dhe eventualisht Gjilani, së dyti gara në Mitrovicë ka qenë prej garave më të ashpra dhe më të paparashikueshme, përtej problemeve që ndodhën ta zëmë më Exit-polle dhe hetimet që tani potencialisht mund të jenë duke i zhvilluar prokuroria, por në anën tjetër ka pasur komuna ku kryetarët aktual kanë dalë në pozita të dyta, apo partia që ka qenë duke qeverisur ka dalë në pozitë të dytë, ndërsa kandidatët kanë dal në vetëm disa pikë të përqindjes dallim. Prandaj besoj që këto zgjedhje kanë pasur befasi, por që besoj që ky është vetëm fillimi sepse balotazhet në Kosovë, sipas përvojës, në veçanti nga viti 2013 e tutje kanë pasur raste të shumta kur ka pasur ndryshim të rezultatit në raundin e dytë, madje edhe në rastet kur dallimi mes kandidatit të parë e të dytë ka qenë gati dyfish më i madh”, ka theksuar ai për Expose të Gazeta Blic.
Ai vlerëson se gara në balotazh është e ashpër dhe për këtë garë merren parasysh dhe koalicionet mes partive.
“Normalisht të qenit në pushtet prej 8, 12 vite ndikon drejtpërdrejt në përcaktimin e qytetarëve për shkak se edhe është në natyrën e votuesve që të ndryshojnë sistemin pa dashur të supozoj që ka arsye të keqqeverisjes ose diçka tjetër dhe unë besoj që fakti që në disa komuna ku një parti ka qeverisur për një kohë të gjatë ose do ketë balotazh, e për më tepër gara mes kandidatit të pare dhe të dytë, do jetë tejet e ashpër për shkak se numri është maksimalisht 5 %, besoj që kjo tregon që në radhë të parë ka një frymë e trend të sfidimit të kryetarëve aktual, por që normalisht me qenë se në balotazh gara fillon pothuajse nga zero dhe janë koalicionet në nivelin lokal, por edhe qasja në fushatë që e bën dallimin, gara në secilën prej tyre mbetet e hapur dhe asnjëra palë nuk është eventualisht në avantazh të theksuar”, ka deklaruar Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim./Gazeta Blic/