Bashkim Bakiu, kandidati i VLEN-it për kryetar të Shkupit, është shprehur optimist se shqiptarët do të kenë më shumë ulëse në Kuvendin Komunal të kryeqytetit të Maqedonisë së Veriut pas zgjedhjeve lokale të 19 tetorit.
Në specialen e Klan Kosovës “Maqedonia zgjedh kryetarët”, ai ka deklaruar se është bërë thirrje vazhdimisht tek shqiptarët atje që të dalin sa më shumë për të votuar.
“Ndërsa në zgjedhjet e fundit numri maksimal i shqiptarëve ka qenë shtatë, flas në total, kësaj radhe presim rritje, sepse kemi bërë sensibilizim të shqiptarëve që të dalin dhe të votojnë. Unë mendoj se 10 apo 11 do të jetë numri i asambleistëve shqiptarë,” ka thënë Bakiu.
I njëjti ka pohuar se duhet të rritet sa më shumë bashkëpunimi i Shkupit me kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën, por po ashtu edhe me Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë.
Në qytetin e Shkupit janë regjistruar gjithsej 474 mijë e 304 votuesë. /Klankosova.tv