Prishtina me 51 anëtarë, kështu do të jetë përbërja e kuvendeve komunale pas zgjedhjeve të 12 tetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar të dhënat e përditësuara për ndarjen e ulëseve në kuvendet komunale, bazuar në regjistrimin e popullsisë të vitit 2024.

Sipas këtyre të dhënave, numri total i anëtarëve të kuvendeve komunale në të gjithë Kosovën do të jetë 942, të shpërndarë në bazë të madhësisë së popullsisë së secilës komunë.

Ky riorganizim i përfaqësimit ka rëndësi të veçantë për zgjedhjet lokale që u mbajtën më 12 tetor, pasi rezultatet e këtyre zgjedhjeve do të pasqyrohen në një Kuvend Komunal me përbërje të përshtatur sipas regjistrimit më të fundit të popullsisë.

Duke u mbështetur në nenin 36, paragrafin 1, të Ligjit Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale, numri i anëtarëve në Kuvendin e Komunës të një komune duhet të jetë proporcional, varësisht nga numri i qytetarëve në komunë, me përjashtim të Kuvendit të Komunës së Prishtinës, që sipas paragrafit 2, përbëhet prej 51 anëtarëve.

Komunat më të mëdha sipas regjistrimit dhe numri i anëtarëve që do të kenë në Kuvend Komunal janë:

Prishtina – 227,466 banorë, 51 anëtarë

Prizreni – 147,246 banorë, 41 anëtarë

Ferizaj – 109,255 banorë, 41 anëtarë

Gjilani – 82,980 banorë, 35 anëtarë

Peja – 82,745 banorë, 35 anëtarë

Gjakova – 78,699 banorë, 35 anëtarë

Podujeva – 70,975 banorë, 35 anëtarë

Ndërsa komunat me popullsi më të vogël si Ranillugu, Zveçani, Kllokoti, dhe të tjera me më pak se 5,000 banorë, do të kenë nga 15 anëtarë të kuvendit.

Megjithatë, mbetet të shihet se si do të shpërndahen ulëset e partive nëpër kuvendet komunale në secilën komunë, veçanërisht pas raundit të balotazhit që do të mbahet më 9 nëntor.

Rezultatet përfundimtare do të tregojnë drejtimin e ri politik dhe fuqinë e secilës forcë politike në nivel lokal. /Telegrafi/