Votat me postë: 10 komuna kanë përfunduar numërimin, Prishtina ende nuk ka dërguar materialin

Qendra e Numërimit dhe Rezultateve në Fushë Kosovë po merret me numërimin e votave dërguara me postë për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Sipas informatave nga përgjegjës brenda QNR-së, materialet për numërim janë pranuar nga të gjitha komunat përveç Prishtinës, e cila pritet të dorëzojë materialet sot pasdite.

Komunat në të cilat ka përfunduar numërimi i votave me postë janë Dragashi, Gjilani, Hani i Elezit, Fushë-Kosova, Obiliqi, Klina, Deçani, Mamusha, Rahoveci dhe Kllokoti.

Sipas burimeve të KosovaPress-it në QNR, prioritet iu është dhënë komunave në të cilat është pritur të shkojnë në balotazh më 9 nëntor.

Disa nga komunat të cilat janë në numërim e sipër votat me postë janë Peja, Prizreni, Vushtrria, Zveçani, Zubin Potoku dhe Graçanica.

Procesi i numërimit të votave me postë pritet të përfundoj gjatë mëngjesit të nesërm teksa në QNR tregojnë se deri më tani procesi ka shkuar pa asnjë problem dhe se numri i fletëvotimeve të pavlefshme ka qenë i vogël.