Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se ka nisur një aksion bastisjesh në nëntë lokacione të ndryshme në veri të vendit. Sipas burimeve të KALLXO.com, bastisjet lidhen me hetimet për vrasjen e doganierit lituanez të EULEX-it, Audrius Senavicius, i cili u vra më 19 shtator 2013 pas të shtënave ndaj dy automjeteve të misionit evropian në afërsi të Zveçanit.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se bastisjet po zhvillohen nën dyshimin për disa vepra penale, përfshirë “Rrezikim të personelit të Kombeve të Bashkuara ose personelit në marrëdhënie me to”, “Vrasje të rëndë” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.
Operacioni po mbështetet nga njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës.
“Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me Kodin e Procedurës Penale. Publiku do të njoftohet me detaje pas përfundimit të operacionit,” thuhet në komunikatën zyrtare.