Selimi: As drejtësi as ndihmë Kosovës, BE në 24 muajt e fundit po shpenzon më shumë për Specialen se për zhvillim

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, ka reaguar pas kritikave të Richard Grenell ndaj Gjykatës së Hagës, duke theksuar se Bashkimi Evropian ka devijuar prioritetet në raport me Kosovën.

Në një postim në platformën “X”, Selimi tha se në 24 muajt e fundit BE ka shpenzuar më shumë para për Dhomat e Specializuara sesa për fondet e zhvillimit për Kosovën, për shkak të sanksioneve që kanë bllokuar shumicën e granteve.

“Së fundi, prioritetet janë ngatërruar krejtësisht – as drejtësi nuk po bëhet, as Kosova nuk po ndihmohet”, shkroi ai.

Reagimi i Selimit erdhi pak pas postimit të Grenell, i cili e quajti Gjykatën e Hagës “totalisht të korruptuar” dhe kërkoi ndërprerjen e financimit të saj.