Kosova shteti i vetëm në rajon ende jashtë CEMT, anëtarësimi është i domosdoshëm për transportuesit e mallrave drejt BE-së

Kosova, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina, ende nuk është bërë anëtare e Konferencës Evropiane të Ministrave të Transportit e quajtur CEMT, çka konsiderohet se kufizon mundësitë e transportuesve me mallra të vendit tonë në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

CEMT, është një marrëveshje multilaterale e cila i mundëson kompanive transportin e mallrave në vendet evropiane drejt një destinacioni të caktuar apo kalimin transit nëpër një apo më shumë shtete anëtare të CEMT-it. Kjo certifikatë ndryshe, njihet edhe si leje kalimi-ndërkombëtar dhe ka rëndësi të veçantë edhe për mbrojtjen e ambientit.

Nga Shoqata e Transportit të Mallrave të Kosovës thonë se anëtarësimi në licencën CEMT do t’ua lehtësonte transportin dhe do të ulte kostot e operimit. Ndërkaq, Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) e vlerëson si shumë të rëndësishëm anëtarësimin e vendit në çdo organizatë ndërkombëtare, përfshirë edhe CEMT-in.

Kurse, nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) për KosovaPress thonë se janë në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) dhe po lobojnë përmes kanaleve diplomatike tek vendet mike për të siguruar përkrahjen e nevojshme. Qëllimi, sipas tyre, është që pas dorëzimit të aplikimit zyrtar, Kosova të ketë votat e mjaftueshme për anëtarësim në CEMT.

CEMT, ndër të tjera lëshon leje ndërkombëtare për transportin rrugor të mallrave. Konferenca Evropiane e Ministrave të Transportit (e njohur gjithashtu si Forumi Ndërkombëtar i Transportit) është një organizatë ndërkombëtare e përqendruar në politikat dhe infrastrukturën e transportit, veçanërisht përmes lejeve shumëpalëshe CEMT që lehtësojnë transportin ndërkufitar të mallrave në Evropë.

Shembull, me lejen CEMT mund të lejohet transporti i mallrave me rrugë ndërmjet vendeve anëtare pa pasur nevojë për autorizime të veçanta për çdo udhëtim, çka lehtëson transportin ndërkufitar të mallrave, duke e bërë atë edhe më efikas.

Kryetari i Shoqatës së Transportit të Mallrave të Kosovës, Muhamet Thaçi, thotë se Kosova është dashur të jetë prej kohësh anëtare e CEMT-it, pasi kjo do t’i vendoste transportuesit kosovarë në pozitë të barabartë me ata të rajonit dhe të Evropës. Ai thekson se shoqata që ai drejton do të angazhohet për këtë proces në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës.

Sipas Thaçit, anëtarësimi në CEMT do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në lehtësimin e punës së transportuesve, duke mundësuar qarkullim më të shpejtë të mallrave dhe zvogëlim të kostove të transportit. Ai shton se, përmes kësaj leje, kompanitë vendore do të kishin mundësi të kryejnë transport në destinacione të ndryshme në Evropë, pa pengesa administrative që aktualisht i ngadalësojnë.

Thaçi: Kosova është dashur të jetë anëtare e CEMT-it, duhet të bëhet patjetër 

“Kosova është dashur të jetë anëtare e CEMT-it. Duhet të bëhet patjetër për arsye se të bëhemi të barabartë transportuesit e Kosovës me ata të rajonit dhe të Evropës. Ne si shoqatë do të angazhohemi rreth anëtarësimit, në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës. Sa i përket [anëtarësimit] në CEMT, do të na lehtësonte punët e transportit në Evropë dhe Rajon pasi të gjitha vendet që na rrethojnë janë të anëtarësuara në CEMT. Pastaj, mund të bëjmë transport, të shkarkojmë ne vende dhe destinacione të ndryshme në Evropë dhe gjetiu…[Anëtarësimi në CEMT do të ndikonte] në shpejtësinë e transportit që mund ta bëjë në vendet e caktuara dhe kur të lehtësohet, lehtësohen edhe shpenzimet për transport”, thotë Thaçi.

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna thotë se anëtarësimi i Kosovës në CEMT dhe në organizata të tjera ndërkombëtare është thelbësor për përmbushjen e standardeve dhe përshtatjen me zhvillimet e reja globale.

Ai thekson se transportuesit kosovarë përballen me pengesa të shumta burokratike që u pamundësojnë depërtimin në tregjet rajonale, ndërsa sipas tij, kompanitë e huaja po marrin tregun.

Sipas Rafunes, përveç anëtarësimeve ndërkombëtare, nevojiten edhe reforma të brendshme në Ministrinë e Infrastrukturës për të fuqizuar sektorin e transportit.

Rafuna: Është shumë i rëndësishëm anëtarësimi i Kosovës në çdo organizatë për t’i plotësuar standardet dhe për të qenë në trend me zhvillimet

“Është e rëndësishme shumë. Çdo anëtarësim në çdo organizatë ndërkombëtare do t’i ndihmojë Kosovës për t’i plotësuar standardet, por edhe për të qenë në trend me zhvillimet dhe ndryshimet e fundit. Ne jemi duke jetuar në një kohë ku ndryshimet bëhen brenda ditës, sidomos tani pas Inteligjencës Artificiale. Çdo anëtarësim në çdo organizatë ndërkombëtare, në çdo konferencë, marrëveshje është i mirëseardhur për të bërë ndryshimin…Si Odë Ekonomike kemi themeluar Shoqatën e Transportit për arsye se ka shumë pengesa që kanë transportuesit tanë. Nuk e tregun jo vetëm Kosovë, por në rajonin hiç se hiç nuk kanë mundur të depërtojnë, por sidomos në Kosovë, për shkak të pengesave, burokracisë, dokumenteve të panevojshme që i kanë, nuk kanë mundësi që të zgjerohen. Dhe më pas vijnë na e marrin tregun kompanitë serbe, kompanitë turke, maqedone e kështu me radhë…Kompanitë tona nuk mund të jenë prezentë në asnjë vend të rajonit. Ne duhet të anëtarësohemi në çdo organizatë, çdo konferencë, por duhet të bëjmë ndryshime dhe reforma të brendshme brenda Ministrisë së Infrastrukturës për t’ia mundësuar transportit tonë që të zhvillohet si degë”, thekson Rafuna.

Lidhur me anëtarësimin në CEMT, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në një përgjigje me shkrim për KosovaPress thonë se kanë parashtruar kërkesën zyrtare tek MPJD-ja dhe po ndjekin hapat proceduralë për t’u bërë anëtare e këtij mekanizmi ndërkombëtar.

MMPHI-ja thekson se koordinimi i ngushtë me MPJD-në është i domosdoshëm për të përgatitur aplikimin formal.

Po ashtu, siç thonë nga kjo ministri, po lobojnë përmes kanaleve diplomatike dhe takimeve bilaterale me vendet anëtare për të siguruar përkrahjen maksimale.

“MMPHI-ja ka parashtruar kërkesën zyrtare tek MPJD për të proceduar tutje kërkesën tonë për anëtarësim në ECMT, megjithatë duhet të kemi parasysh faktin se për t’u anëtarësuar zyrtarisht në këtë mekanizëm duhet ndjekur disa hapa proceduralë paraprak për të arritur deri tek parashtrimi i kërkesës formale tek ky mekanizëm. MMPHI-ja është në koordinim të ngushtë me MPJD-në për veprimet që duhet ndjekur në raport me kërkesën për anëtarësim. Në këtë kuptim duhet cekur faktin se jemi duke lobuar përmes kanaleve diplomatike tek vendet mike që janë anëtare në këtë mekanizëm, po ashtu edhe në takimet bilaterale që kemi në kuadër të komisioneve teknike të përbashkëta me vendet respektive për zbatimin dhe mbikëqyrjen e marrëveshjeve bilaterale, për të arritur përkrahjen maksimale të vendeve anëtare, në mënyrë që sapo të dorëzohet zyrtarisht aplikimi tek sekretariati i ECMT-së, të kemi votat e mjaftueshme për pranim, respektivisht anëtarësim”, thonë nga MMPHI-ja përmes emailit në përgjigjen e tyre për KosovaPress.

Një listë jo përfundimtare e shteteve anëtare në CEMT përfshinë Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Bosnje dhe Hercegovinën, Serbinë, Kroacinë, Slloveninë, Greqinë, Italinë, Austrinë, Gjermaninë, Francën, Zvicrën, Hungarinë, Bullgarinë, Rumaninë, Poloninë, Çekinë, Sllovakinë, Turqinë, Mbretërinë e Bashkuar (Britania), Spanjën, Portugalinë, Danimarkën, Suedinë, Finlandën, Norvegjinë, Holandën, Belgjikën, Luksemburgun e shumë shtete të tjera botërore.