Bisedimet në Uashington mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe atij ukrainas, Volodymyr Zelensky, nuk prodhuan ndonjë rezultat të madh, por po ashtu as nuk u përmbyllën me përplasje, dhe procesi diplomatik pritet të vazhdojë në Budapest.

Para vizitës kishte shumë diskutime se Zelensky do të kërkonte raketa Tomahawk apo armë të tjera për të ndihmuar vendin e tij të vazhdojë luftën gati katër vjet pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të shtetit fqinj.

Por, shumë vëzhgues thanë se kjo gjithmonë ishte një pritje joreale.

Raketat Tomahawk

“Ukrainasit nuk erdhën duke pritur se kjo do të ndodhte, kështu që në këtë kuptim nuk është saktësisht një zhgënjim”, tha për Radion Evropa e Lirë Jeremy Shapiro, udhëheqës i hulumtimeve në Këshillin Evropian për Marrëdhënie të Jashtme.

“S’ka shanse që ushtria amerikane t’i japë [raketat]. Ato janë shumë të shtrenjta”, tha ai, duke shtuar se forcat e armatosura ukrainase nuk kanë kapacitete detare për lëshimin e raketave Tomahawk.

Megjithatë, simbolika e mundësisë që ato të ofroheshin nxiti një reagim të ashpër nga Kremlini dhe duket se kjo e shtyu presidentin rus, Vladimir Putin, që të telefononte Trumpin më 16 tetor.

Furnizimi me raketa Tomahawk do të vinte në pah se sa e ka ndryshuar qëndrimin administrata amerikane krahasuar me muajt e saj të parë, kur Trumpi kishte shprehur optimizëm se mund të negocionte shpejt përfundimin e luftës.

Pas bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë, Zelensky tha se pavarësisht se nuk pati një marrëveshje për furnizim me raketat Tomahawk, Trump nuk e ka përjashtuar plotësisht këtë mundësi.

Ilan Berman, nënkryetar i Këshillit Amerikan për Politikë të Jashtme i tha Radios Evropa e Lirë se ky fakt ishte domethënës.

“Pyetja tani është nëse ka mundësi që Shtëpia e Bardhë të përgatisë një paketë me masa ndëshkuese ndaj të cilave Rusia do të reagonte në një mënyrë që nuk e ka bërë më parë. Dhe, mendoj se këtu hynë në lojë Tomahawk-ët”, tha Berman, i cili po gjithashtu është anëtar i Bordit të REL-it.

“Ndjesia ime është se kjo, në njëfarë mënyre, po e nxit këtë mendim. Por, mendoj se presidenti, ashtu edhe këshilltarët e tij, janë shumë më pak optimistë tani që Vladimir Putini është një aktor konstruktiv sesa ishin gjashtë muaj më parë”.

Zymtësi në Ukrainë

Disa analistë në Ukrainë kishin një qëndrim më të zymtë lidhur me bisedimet, duke thënë për Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë se nuk kishte ndonjë marrëveshje apo njoftim konkret.

“Gjëja thelbësore është se që nga 1 nëntori ne nuk kemi mekanizma për të marrë armë nga SHBA-ja. Paketa e mëparshme [e ndihmës] ka përfunduar, dhe buxheti i ri ndan vetëm 500 milionë dollarë. Kjo shumë është sa gjysma e parave për një bateri të sistemit Patriot”, tha Valeriy Chaliy, i cili ka qenë ambasador i Ukrainës në Uashington në periudhën 2015-2019.

Në të vërtetë, nevoja urgjente për mbështetje shtesë ushtarake u bë e qartë në ditët para samitit, teksa sulmet ruse me dronë dhe raketa vazhduan të godisnin qytetet ukrainase.

Instituti Kiel, i cili monitoron ndihmën për Ukrainën, theksoi se ka një rënie prej 57 për qind në alokimet për mbështetje ushtarake nga vendet evropiane gjatë muajve korrik dhe gusht, krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit.

Ky institut me seli në Gjermani theksoi se kjo rënie përfshinte kontributet në skemën e re PURL, sipas të cilës, shtetet evropiane blejnë pajisje ushtarake amerikane për Ukrainën, pasi SHBA-ja ndaloi paketat e reja të ndihmës më herët gjatë vitit 2025.

Zelensky tha se me Trumpin kishte diskutuar për mbrojtjen ajrore, por nuk mund të raportonte për furnizime të reja.

Për shkak të mungesës së përparimit, vëmendja patjetër që u përqendrua tek atmosfera e takimit. Në një postim në rrjetet sociale pas takimit, Trump e përshkroi atë si “korrekt” dhe kjo padyshim se është në kontrast me përplasjet midis Trumpit dhe Zelenskyt në Zyrën Ovale në muajin shkurt.

Në atë rast, dreka e punës ishte anuluar. Kësaj radhe, dy udhëheqësit u ulën me ekipet e tyre në një tryezë që veçse ishte shtruar.

“Trumpi e ka zbutur [qëndrimin e tij ndaj Ukrainës]. Kjo është shumë më mirë sesa gjatë muajve të parë të presidencës së tij”, tha për Shërbimin ukrainas të REL-it, Volodymyr Dubovyk, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Odesës.

“Nuk e shoh këtë takim si dështim. E shoh si një dinamikë pozitive”, shtoi ai.

Mbajtja e raporteve

Analistët në Uashington u pajtuan se ky ishte mesazhi pozitiv: raportet mes dy udhëheqësve u mbajtën në kursin e duhur.

“Le ta shohim si një rrjedhë ngjarjesh e jo vetëm si një rast i vetëm. Kur e shohim kështu, ukrainasit kanë bërë vërtetë një përparim që nga… përplasja e ashpër në Shtëpinë e Bardhë”, th Berman.

Shapiro theksoi se Zelensky “ka krijuar një lloj paralelizmi me… samitet Trump-Putin. Ai e ka marrë këtë ide [të pranuar] se Trumpi gjithmonë do të takohet edhe me [Putinin] në të njëjtën kohë ose rreth kohës së njëjtë”.

Nuk është e qartë nëse kjo do të thotë se Zelensky mund të udhëtojë po ashtu në Budapest, ku Trumpi ka thënë se do të takohet me Putinin së shpejti.

Kur u pyet për këtë, Trump tha se bisedimet do të jenë “me gjasë një takim i dyfishtë”, por me Zelenskyn do të jetë “në kontakt”. Ai shtoi se “do të jemi të përfshirë të tre, por mund të jetë takim i ndarë”.

Detajet e formatit ende duhet që të diskutohen. Trump po ashtu tha se është i shqetësuar që Putinin po përpiqet të zgjasë procesin sa më shumë që të jetë e mundur.

Sërish, nuk është e qartë sa kohë do t’i japë presidenti amerikan para se, në një pikë, të vendosë që të ushtrojë presion shtesë përmes sanksioneve, tarifave dytësore ndaj importuesve të energjisë ruse, ose përmes furnizimeve të reja ushtarake.

Për momentin, ky samit rezultoi me një rezultat jo të qartë dhe Putin ka fituar pak më shumë kohë./REL/