ICG: Paraliza në shtet mund t’i kushtojë Kurtit në zgjedhje, ai shpreson se me “demonstrim të forcës” në veri do të tërheqë votues

Ngërçi i stërzgjatur në Parlament pavarësisht që fitoi me një përqindje të madhe në zgjedhjet e 9 shkurtit mund t’i kushtojë me vota kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, nëse do të mbahen zgjedhje të reja në pamundësi të krijimit të institucioneve të reja.

Për pasojat e ngërçit që mund të ketë Kurti e partia e tij ka shkruar në një analizë së fundmi organizata “Crisis Group”.

Por, për t’iu kundërvënë humbjes së mundshme të votave, Kurti mund të shpresojë që “demonstrimi i forcës” në veri të vendit do të zbutet dhe do të tërheqë votues me prirje nacionaliste.

“Paraliza në shtet mund ta dëmtojë Kurtin në zgjedhjet e ardhshme, të cilat normalisht do të mbaheshin në vitin 2029, por mund të vijnë që në pranverën e vitit 2026 nëse bllokada parlamentare vazhdon. Megjithatë, ai mund të shpresojë se pakënaqësia popullore do të zbutet nga demonstrimi gjithnjë e më i dukshëm i forcës ndaj pakicës serbe të Kosovës, veçanërisht në katër komunat më veriore. Këto politika nisën gjatë mandatit të tij të parë në vitin 2021 dhe kanë vazhduar edhe gjatë mandatit të dytë, duke i siguruar Prishtinës kontroll të plotë mbi rajonin verior të Kosovës me shumicë serbe dhe duke dëbuar shumicën e institucioneve serbe që kishin mbetur. Edhe pse goditja ndaj serbëve sjell pak ose aspak përfitime për kosovarët, ajo tërheq votuesit me prirje nacionaliste”.

Në këtë analizë thuhet se Qeveria e Kosovës tani po i trajton “shprehjet e hapura të identitet kombëtar serb” si “forma të gjuhës së urrejtjes kriminale”.

“Qeveritë e mëparshme kishin prirje të toleronin ambivalencën e shumë serbëve ndaj qeverisë së Kosovës – duke e pranuar shtetin në Prishtinë nga pragmatizmi, por duke refuzuar pavarësinë e tij – si çmimin për integrimin. Por Kurti beson se shfaqjet e nacionalizmit serb tregojnë vazhdimësinë e pretendimeve irredentiste mbi territorin e Kosovës dhe synojnë të nxisin urrejtje etnike. Edhe pse shfaqja e simboleve kombëtare është një e drejtë e mbrojtur nga kushtetuta e Kosovës, policia ka arrestuar në mënyrë të përsëritur serbë – përfshirë edhe fëmijë – për veshjen e bluzave me slogane nacionaliste serbe apo për valëvitjen e flamurit serb; edhe Serbia trajton në mënyrë të ngjashme shfaqjen e flamurit shqiptar. Kritika ndaj deklaratave dhe simboleve nacionaliste shqiptare po trajtohet gjithashtu si vepër penale. Prokurorët ngritën akuza për nxitje të urrejtjes etnike ndaj një zyrtari serb vizitor për një fjalim në të cilin ai iu referua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si “terroriste”, sipas narrativës zyrtare të Serbisë”, thuhet më tej në analizë.

International Crisis Group është një organizatë joqeveritare që merret me parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve të armatosura në mbarë botën.

Organizata ka ekipe në terren në shumë vende të botës, përfshirë Kosovën për mbledhur informacione për zhvillimet politike, etnike, fetare dhe të sigurisë.

Crisis Group punon me vendimmarrës ndërkombëtarë për të ndikuar në marrjen e masave diplomatike për të parandaluar ose ndalur luftërat./Express/