Opinionisti Azdren Shala, ishte pjesëmarrës në protestën në përkrahje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila u mbajt në Tiranë.
Në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës, Shala tha se në Tiranë, kërkesa për drejtësi jehoi më shumë se në çdo qytet tjetër, transmeton Klankosova.tv.
“Sa i përket protestës, nga aspekti masiv, ishte shumë më e madhe se ajo e Prishtinës, mbase në shikim të parë nuk duket, pasi Bulevardi ‘Skënderbeu’ është pak më i madh se ai i Prishtinës. Për mua personalisht pjesëmarrja ka qenë shumë e kënaqshme”, tha ai.
“Mua më gëzon fakti që në këtë protestë morën pjesë shqiptarë nga të gjitha trevat, shqiptarë nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria, Lugina. Ishte një protestë e jashtëzakonshme, entuziazmi ishte në maksimumin e vet”.
“Mendoj që sot, nga kryeqendra e shqiptarisë, Tirana, jehon më fuqishëm se në çdo qytet, kërkesa jonë për drejtësi për djemtë tanë në Hagë. Për mua kjo protestë, mbase ka qenë e vonuar, por e ka arritur efektin e vet”, u shpreh Shala.