Bllokada politike e krijuar tash e disa muaj në Kuvend, mund të lë buxhetin e vitit të ardhshëm pa miratuar. Derisa të gjitha partitë flasin për mundësinë e zgjedhjeve parlamentare të jashtëzakonshme, KQZ-ja mund të mos ketë buxhet për t’i organizuar ato.
Ndonëse të gjitha partitë politike flasin për zgjedhje të jashtëzakonshme nacionale, asnjëra prej tyre nuk ka ndonjë plan se me çfarë buxheti mund të organizohen ato.
Afati i fundit për aprovimin e buxhetit për vitin e ardhshëm në qeverinë e Kosovës është në fund të tetorit e më pas i njëjti dërgohet për votim në Kuvend.
Në Lidhjen Demokratike të Kosovës, kanë thënë se përgjegjëse për krijimin e instutucioneve është Lëvizja Vetëvendosje, derisa kanë thënë se pa buxhet të miratuar Kosova mund të futet në krizë.
“Përgjegjësinë për krijimin e institucioneve e ka fituesi i zgjedhjeve! Duhet t’i pyesni ata për planin e tyre. Kurse, sa i përket Buxhetit, nëse ai nuk miratohet nga Kuvendi i Kosovës, do të futemi në krizë edhe më të thellë financiare e ekonomike. Edhe ashtu jemi në krizë ekononike. Kosova humbi një vit të plotë”– Alban Zogaj – Deputet i LDK-së.
E Time Kadrijaj nga AAK-ja ka thënë se nuk kanë votë për Vetëvendosjes por për zgjidhje të tjera për buxhetin do të diskutojnë në ditët në vazhdim.
“Ne nuk kemi vota për VV, e për të tjerat sigurisht do të diskutohet në ditët në vazhdim!”– Time Kadrijaj – Deputete e AAK-së, raporton RTV Dukagjini.
Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk janë përgjigjur nëse kanë buxhet të mjaftueshëm për të organizuar edhe një herë zgjedhje, por anëtari i KQZ-së, nga AAK-ja Muharrem Nitaj ka thënë se për zgjedhje të tjera duhet ndarë buxhet shtesë.
“KQZ-ja ka patur buxhet për këto zgjedhje. Për zgjedhje të tjera, qeveria duhet te ndajë buxhet. Ata duhet ta dijnë nëse kanë mjete dhe nëse kanë të drejtë t’i ndajnë ato. Me aq sa kuptoj unë, pa miratim të buxhetit Kosova hyn në krizë financiare buxhetore menjëherë pas vitit të ri”– Muharrem Nitaj – Anëtar i KQZ-së nga AAK.
E në Institutin Demokratik të Kosovës, thonë se një prej opsioneve, në situatën aktuale, është edhe ai i një qeverie teknike, që përveç buxhetit, të kalohen edhe disa marrëveshje ndërkombëtare.
“Kjo mund të vije si një lloj kompromisi ose bashkëpunimi e marrëveshje të përbashkët politike, e të gjitha partive politike parlamentare që të formojnë një qeveri afatshkurtër vetëm për qëllime të caktuara p.sh. një qeveri teknike e cila për hirë të miratimit të buxhetit apo të disa marrëveshjeve ndërkombëtare në atë kuptimin që Kosova të mos pësojë masa apo pengesa procedurale të fondeve të shumta nga BE-ja”, ka thënë Vullnet Bugaqku nga KDI.
Buxheti për këtë vit ishte miratuar në nëntor të 2024, vlera e të cilit ishte 3.6 miliardë euro.