Ekspertët e prokurimit reagojnë pas shkrimit për tenderin 8 milionësh të Ministrisë së Bujqësisë: “Me njoftim të korrigjimit nuk mund të ashpërsohen kriteret”

Pas publikimit të analizës së Demokracia.com për tenderin 8 milionë euro të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ku ministria kishte shtuar kritere të reja dhe më të ashpra pas shpalljes fillestare të njoftimit për kontratë, ka ardhur një reagim nga ekspertja e prokurimit publik Vlora Ferizi dhe disa ekspert të tjrë.

Ferizi, e cila është hartuesja e legjislacionit primar dhe sekondar të Ligjit për Prokurim Publik, ka ndarë shkrimin në faqen e saj në rrjetin social Facebook, duke ngritur një pyetje të drejtpërdrejtë profesionale:

“Pyetje për ekspert të fushës së prokurimit:
Me njoftim të korrigjimit të procedurës së prokurimit a duhet të shtohen apo zbuten/sqarohen kriteret e publikuara?”

Kjo pyetje ka nxitur reagime të menjëhershme nga profesionistë të tjerë të fushës, të cilët janë pajtuar nw komentin e shkrimit të saj se korrigjimet në njoftimet e prokurimit nuk mund të përdoren për të ashpërsuar kriteret ekzistuese, por vetëm për t’i zbutur apo sqaruar ato, në mënyrë që të shmangen keqinterpretimet dhe të sigurohet konkurrencë e barabartë mes operatorëve ekonomikë.

Komentet e ekspertëve kanë theksuar se shtimi i kërkesave të reja për certifikata ISO, siç ndodhi në tenderin e Ministrisë së Bujqësisë pas shpalljes fillestare, bie ndesh me parimet bazë të transparencës dhe proporcionalitetit të përcaktuara në Ligjin për Prokurim Publik.

Në shkrimin e publikuar një ditë më parë, Demokracia.com kishte raportuar se Ministria e Bujqësisë, nën udhëheqjen e ministrit në detyrë Faton Peci, kishte ndryshuar dosjen e tenderit 8 milionësh për ndërtimin e tri objekteve administrative (MBPZHR, AZHB dhe APK), duke shtuar dy kërkesa të reja për certifikatat ISO 9606-1 për saldim dhe ISO 50001 për auditim energjetik, të cilat nuk ishin përfshirë në versionin fillestar të njoftimit.

Ekspertët e prokurimit theksojnë se një veprim i tillë nuk mund të justifikohet me “korrigjim të gabimeve”, pasi ligji dhe udhëzimet e KRPP-së e lejojnë korrigjimin vetëm për sqarim teknik, jo për shtim apo ashpërsim të kushteve kualifikuese.

Reagimi i Ferizit dhe ekspertëve tjerë e forcon bindjen se ndryshimet e bëra nga Ministria e Bujqësisë mund të jenë në kundërshtim me interpretimet zyrtare të KRPP-së, të cilat kërkojnë që çdo kriter i ri të jetë drejtpërdrejt i lidhur me objektin e kontratës dhe të mos kufizojë pjesëmarrjen konkurruese. /Demokracia.com/

Lexo edhe:

Në tenderin 8 milionësh, Ministria e Bujqësisë shton kritere- kërkesat për certifikata ISO bien ndesh me interpretimin e KRPP-së