Hamiti: Kosova ka degraduar institucionalisht në kohën e Osmanit dhe Kurtit

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamit, ka kritikuar presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti për degradim të Kosovës.

Ai ka bërë me dije se nën udhëheqjen e këtyre dyve Kosova ka degraduar institucionalisht.

Në profilin e tij në “Facebook”, Hamiti ka rikujtuar demet që Osmani dhe Kurti ia kanë bërë Kosovës.

“Kosova është tash e 840 ditë nën sanksione të BE-së për shkak të politikave të Albin Kurtit dhe të Qeverisë së tij. Na janë pezulluar mbi 600 milionë euro për projekte jetike për qytetarët. Tash e 6 muaj Albin Kurti po qëndron kundërligjshëm në krye të Qeverisë së Kosovës, në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, e cila nuk i lejon deputetit të mbajë pozitë ekzekutive”, ka shkruar ai, duke treguar edhe masat tjera i ka ndërmarr BE-ja.

“Tash e dy muaj BE-ja nuk e takon në ndërtesën e Qeverisë as deputetin Kurti as kolegët e tij të tjerë të VV-së që po qëndrojnë kundërligjshëm në detyra ministrore. Zonja Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian, e takon sot deputetin Albin Kurti në Kuvend. Edhe SHBA-të e pezulluan Dialogun Strategjik me Kosovën muajin e kaluar. Kosova ka degraduar institucionalisht në kohën e udhëheqësve aktualë të shtetit, që i morën këto detyra mbas zgjedhjeve nacionale të shkurtit të vitit 2021”, ka thënë ai.