Bluzat me mbishkrimin “Liria ka Emër” i veshën, e gati edhe motoçikletat i kishin bërë për të nisur marshin drejtë Hagës, por motoristët nga Kosova këtë rrugëtim drejt qytetit holandez vendosën ta nisin nga Prekazi historik duke bërë homazhe tek varret e familjes Jashari, pastaj edhe në fshatin Poklek , ku u krye një nga masakrat më të tmerrshme nga forcat serbe.
Rreth 150 motoristë shqiptarë nga vende të ndryshme të Kosovës dhe Evropës në kuadër të platformës “Liria ka Emër” po nisin marshin drejtë Hagës me motoçikleta me thirrjen e vetme drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po gjykohen në Hagë.
Përfaqësuesi i kësaj platforme, Ismail Tasholli tha se përmes parakalimit me motoristë në Hagë kërkohet drejtësi.
Tasholli tregoi se nga Haga rruga do të vazhdojë drejt Brukselit me kërkesën e vetme që drejtësia të jetë transparente.
“Është një marsh simbolik qysh është një thirrje për drejtësi qëllimi është që arrijmë deri në Hagë atje ta bëjmë një parakalim të motoristëve pastaj të vazhdojmë në Bruksel ku kemi përgatitur një kërkesë që drejtësia të jetë transparente”, tha ai.
Bashkëluftëtari, Nasim Haradinaj tha se ky marsh simbolik është thirrje për drejtësi dhe kërkesë qe procesi gjyqësor në Hagë të përfundojë sa ma shpejt dhe të jetë i drejtë.
“Do të bëjmë vetëm një thirrje për drejtësi dhe ajo tjetra që është që sa më shpejt proceset të kryhen drejt. Ne nuk duam të ndikojmë në drejtësi por duam të themi se kjo drejtësi nuk po monitorohet. Prandaj, kjo le të jetë thirrje edhe për ndërkombëtarët, por edhe për qeveritarë dhe gjithë ata njerëz që mendojnë që drejtësia është vlera kryesore. Dhe nëse drejtësia është vlera kryesore liderët tanë të gjithë shokët që janë në Hagë do të na kthehen të pafajshëm dhe ajo është fitore për ne dhe fitore më e madhe për Kosovën”, tha ai, transmeton kosovapress.
Haradinaj tregoi edhe gjithë rrugëtimin që do ta bëjnë drejt Hagës bashkë me motoristët.
“Prej këtu shkojmë në Poklek pastaj Gllogjan-Deçan, nga Gllogjani do të shkojmë në Koshare nga Kosharja në Mejë tek masakra e madhe që është bërë atje, të jetë edhe simbol për evropianët se nganjëherë si duket i kanë harruar masakrat nga aty në Landovic meqenëse aty do të kthehet rruga për Morinë për në Durrës ku do jetë trageti dhe Ankon dhe pastaj në Cyrih ku do të mbledhin motoristë shqiptarë nga Italia, Gjermania, Austria… dhe nga Duseldorf do të shkojmë në Hagë dhe në Bruksel”, tha ai.
Për tu dal në mbështetje ish-krerë e të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, ish-presidentit, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi më 17 tetor në Tiranë do të mbahet protestë gjithëkombëtare.
Një tjetër protestë është mbajtur në Hagë, më 14 shtator, një ditë para fillimit të dëgjimit të dëshmitarit të parë të mbrojtjes, ish-ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin. Protesta është mbajtur në afërsi të ndërtesës së Gjykatës Speciale, ku morën pjesë rreth 10 mijë shqiptarë nga e gjithë bota.
Më 3 prill të vitit 2023 nisi procesi gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa ata nën akuzat për krime lufte janë në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020.