De Jong-Barcelona, “tym i bardhë” për rinovimin. Ja kur do të zyrtarizohet gjithçka

Frenkie de Jong dhe Barcelona do të rinovojnë deri më 2029, me klauzolë të re lirimi 500 milionë euro (kontrata aktuale skadonte në qershor 2026). Ceremonia zyrtare e firmës dhe njoftimi publik do të bëhen të mërkurën, në orën 13:30, me praninë e mediave. Pas muajsh negociata dhe disa mosmarrëveshjeve, palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët.

Një nga pengesat kryesore kishte qenë pakënaqësia e De Jong për kritikat që kishte marrë nga tifozët, sidomos pas publikimit të pagës së tij, që e kishte reduktuar përkohësisht për ta ndihmuar klubin në një periudhë të vështirë ekonomike.

Tani marrëdhënia është rikuperuar plotësisht. De Jong është kthyer në lider të mesfushës së Flick, ku formon një dyshe solide me Pedrin. Ai ka fituar sërish rolin e titullarit, pas dëmtimit të kyçit të këmbës, dhe është bërë një nga figurat më të dashura të tifozëve katalanas, të cilët i kanë zëvendësuar fërshëllimat e dikurshme me duartrokitje.

Holandezi, që mbërriti në “Camp Nou” në korrik 2019 nga Ajax, ka luajtur 267 ndeshje me fanellën blaugrana dhe këtë sezon ka grumbulluar 8 paraqitje, duke qenë një nga kapitenët e skuadrës.
Ky rinovim forcon strategjinë e Hansi Flick për të ndërtuar të ardhmen e Barcelonës rreth stabilitetit dhe vazhdimësisë së grupit aktual.

The post De Jong-Barcelona, “tym i bardhë” për rinovimin. Ja kur do të zyrtarizohet gjithçka appeared first on Telesport.