Rutte: Sulmi i Kinës ndaj Tajvanit mund ta detyrojë Rusinë të ndërmarrë veprime kundër NATO-s

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se një sulm kinez ndaj Tajvanit mund ta provokojë Rusinë të veprojë kundër NATO-s. Ai theksoi se këto dy vende duhet të shihen si një entitet i vetëm.

Nëse Kina vendos të sulmojë Tajvanin, kjo mund ta detyrojë Rusinë të “ndërmarrë veprime kundër NATO-s”, tha i pari i NATO-s.

Rutte, gjatë sesionit të 71-të vjetor të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Lubjanë, i bëri këto komente, transmeton Telegrafi.

“Ne duhet t’i shohim ato si një, sepse, për shembull, nëse Kina vendos të ndërmarrë veprime kundër Tajvanit, ka shumë të ngjarë që Kina do ta detyrojë partnerin e saj të vogël në këtë marrëdhënie, pra Rusinë nën udhëheqjen e Vladimir Putinit, të ndërmarrë veprime kundër NATO-s për të na pushtuar”.

Ai gjithashtu theksoi se Aleanca është dukshëm më e fortë se rusët, kështu që nuk ka nevojë të rrëzohen aeroplanët rusë që shkelin hapësirën ajrore të vendeve anëtare.