Janë numëruar pothuajse të gjitha votat, Cakolli tregon nga sa asambleistë po i merr PDK, LDK, LVV e AAK

 

Eugen Cakolli nga koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim ka publikuar një grafik lidhur me asamblistët që do t’i ketë secila nga katër partitë më të mëdha shqiptare në kuvendet komunale.

“Me rreth 97% të vendvotimeve të procesuara, përbërja e kuvendeve komunale dhe ndarja e mandateve sipas subjekteve politike, tashmë është pothuajse përfundimtare. Sipas rezultateve të deritanishme, PDK kryeson me 208 asambleistë, e ndjekur nga LDK me 199, LVV me 188, dhe AAK me 98 sosh gjithsej”, shkruan ai në një postim në Facebook.

Cakolli thotë se “në disa komuna ku ende nuk janë procesuar të gjitha votat, mund të ketë ndryshime, por që do të ishin minimale”.

“Në anën tjetër, votat me kusht dhe ato me postë, ndonëse zakonisht kanë ndikim simbolik në rezultatet e subjekteve politike, mund të bëjnë dallimin tek kandidatët individualë për asamble komunale brenda listave, që potencialisht fitojnë mandatin”, shkruan ai.