Gara për komunën e Mitrovicës së Jugut, në mes të Arian Tahirit të PDK-së dhe Faton Pecit të LVV-së është jashtëzakonisht e ngushtë.
Ende pa u numëruar votat me kusht dhe ato me posë, Tahiri është rreth 30 vota përpara Pecit dhe nëse kjo diferencë s’do të ndryshojë as pas numërimit të votave me kusht dhe me postë, të dy do të ballafaqohen në balotazhin e 9 nëntorit.
Por cili do të jetë qëndrimi i partisë së tretë, Lidhjes Demokratike të Kosovës, në këtë përballje.
Kandidati i LDK-së për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Gëzim Plakolli, në një përgjigje për Express ka thënë se derisa rezultatet ende s’janë certifikuar “s’dëshiron të deklarohet”.
Ai ka thënë se fton komisionerët dhe vëzhguesit të mbrojnë secilën votë në procesin e numërimit.
Plakolli ka thënë se pasi të përfundojë procesi do të marrin një vendim rreth asaj se si do të veprojnë.
“Meqenëse rezultatet ende nuk kane certifikuar, nuk dua te deklarohem ende. Ftoj komisioneret dhe vëzhguesit te mbrojnë secilën vote, ne procesin e numërimit. Pas përfundimit te këtij procesi, shohim se si do veprojmë.”