Shqiptari hyn ilegalisht pas dëbimit, Italia e rikthen drejt Tiranës me avion

Zyra e Imigracionit në Shtabin e Policisë së Astit ka kapur një shqiptar, i cili ishte dëbuar nga Italia prillin e kaluar dhe kishte rihyrë ilegalisht në vend.

Autoritetet zbuluan se ai ishte kthyer ilegalisht në Itali në tetor, teksa u ndalua gjatë kontrolleve të synuara dhe u arrestua për krimin e imigracionit të paligjshëm, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

“Në ekzekutim të urdhrit të dëbimit sipas nenit 13, paragrafi 13 i Dekretit Legjislativ 286/98 dhe dekretit për shoqërimin në kufi të lëshuar nga Shefi i Policisë së Astit, personeli i Zyrës së Imigracionit shoqëroi me forcë shtetasin shqiptar në Aeroportin e Milanos Malpensa, nga ku ai u riatdhesua në vendin e tij të origjinës”, njoftuan autoritetet për rastin.

Nuk u dhanë detaje për të kaluarën e shqiptarit, nëse kishte qenë i dënuar apo akuzuar më parë për krime të rënda, që kishin sjellë edhe dëbimin.