Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, doli në konferencë për media.
Pasi tha se është rezultati më i mirë i VV-së në zgjedhjet lokale, Kurti foli edhe për situatën në Mitrovicë.
Ai tha se Exit Pollet dhe “propaganda” që nga ora 7 e mëngjesit, ka qenë e frikshme dhe cenim i zgjedhjeve të lira.
“Ajo që ndodhi më 12 tetor rreth raportimeve për Mitrovicën, duhet hetuar e hulumtuar. Nuk bëhet fjalë për huqje, por për ingjiniering të paramenduar, ndërhyrje flagrante në proces. Exit Pollet e prezantuara gabimisht me 16% dallim nga më shumë se një organizatë, për të njëjtën komunë, postimi i lajmeve të rreme se kush ishte fituesi ende pa u mbyllur vendovtimet, nuk janë thjeshtë huqje, është cenim i demokracisë, zgjedhjeve të lira, integritetit e sigurisë. I ftoj organet e sigurisë e drejtësisë të merren me këtë çështje”, tha Kurti.
Exit Polle theksuan se në Mitrovicë nuk ka balotazh, dhe se Arian Tahiri e ka mposhtur bindshëm Pecin. Madje, duke e dërguar mbi 55%.
Rezultatet aktuale thonë se atje ka balotazh, e se dallimi është veç 28 vota.
Megjithatë, juristja e medias, Flutura Kusari, tha se deklaratat e Kurtit janë të pasakta. Ajo theksoi se Exit Pollet u publikuan pasi u mbyllën qendrat e votimit.
“Unë i ftoj organet e ndjekjes me qëndru sa më larg, sa më larg, idesë së hetimit të raportimeve dhe kompanive që bëjnë exit polls. Poashtu, ma merr mendja që KPM-ja është duke i fërku duart dhe duke e shiku mundësinë me u përzi meqë Kurti ka bërë thirrje. Edhe organet e ndjekjes edhe KPM-ja duhet të qëndrojnë larg kësaj teme dhe asnjë hetim nuk duhet të hapet. Exit pollat ia kanë huqë por ato duhet me pagu me kredibilitet ashtu siç duhet me pagu me kredibilitet moderatorët e emisioneve që na kanë ofru informacione të pasakta, sidomos nëse i angazhojnë përsëri të njëjtat kompani. Mendësia e Albin Kurtit, VV-së dhe e njerëzve rreth tij që me e përdorë ligjin penal me i ndëshku këdo që thotë diçka që atij nuk i pëlqen është e frikshme por sigurisht që do të jetë e pasuksesshme”, ka shkruar Kusari.
Kurse, njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi, deklaroi se Exit Polls kanë dështuar shpesh edhe në vendet më demokratike.
“Mjafton qe nje perqindje fare e vogel e respondenteve te mos pergjigjen sinqerte, apo qe te refuzojne te pergjigjen, qe rezultati te devijoje dramatikisht. Nese vetem 4% te respondenteve e thone te kunderten e asaj qe kane votuar ne nje gare me dy kandidate, dallimi ne rezultat nuk eshte 4% por 8%, sepse i shtohen njerit dhe i hiqen tjetrit. Gjithashtu nuk perjashtohet mundesia qe kompanive t’u jene infiltruar militante qe i kane futur te dhenat gabim dhe se kemi te bejme me mungese te kontrollit te cilesise”, ka shkruar Maliqi.
“Exit Polls fundja nuk kane kurrefare ndikimi ne rezultat, thjesht jane produkt mediatik qe sherbejne per ta shuar me shpejt kurreshtjen e publikut i cili ashtu keshtu e merr rezultatin brenda disa oreve. Sherbejne shpesh edhe pozitivisht per te identifikuar mundesine e manipulimit te votave. Nga gabimet e Exit Polls me se shumti ne fakt humbin vete mediat dhe kompanite e kontraktuara te cilat e paguajne koston e reputacionit. Perpjekja e Kurtit per t’i paraqitur exit polls dhe mediat si me synime kriminale eshte thjesht perpjekje per ta shfrytezuar rastin dhe per ta vazhduar luften e tij sistematike kunder mediave kritike”, tha ai.