VV-ja i fiton tri komuna me të parën, në 12 shkon në balotazh

Ka shkuar drejt fundit procesi i numërimit të votave në zgjedhjet lokale në Kosovë, ku në disa komuna KQZ-ja i ka publikuar rezultatet preliminare.

Nga të dhënat e KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar tri komuna pa balotazh, Podujevën me mbi 53%, Shtimen me mbi 50% dhe Kamenicën me mbi 50%.

Ndërsa, është në balotazh në 12 komuna të tjera, ku në Gjakovë është e dyta, ku i pari është Ardian Gjini i AAK-së me 47.47%, ndërsa Ardian Gola është i dyti me 33.54%.

Në Gjilan, Lëvizja Vetëvendosje prin me 49.79%, i ndjekur nga Arbër Ismajli me 34.24%, ku Alban Hyseni i VV-së mund ta sigurojë fitoren me votat me kusht dhe votat e diasporës.

Si e dyta, VV-ja është në balotazh në Kaçanik, ku Jeton Raka është i dyti me 37.98%, ndërsa në vendin e parë është Sabedin Vishi me 39.72%.

Në Fushë Kosovë, VV-ja ka shkuar në balotazh si e para, për herë të parë që nga paslufta, me 45.14%, ndërsa në vendin e dytë është Besnik Osmani i LDK-së me 36.62%.

Garë e ngushtë në rundin e parë ka qenë në Mitrovicë, ku VV-ja është në balotazh si e dyta, pasi kandidati i tyre, Faton Peci, ka marrë 47.8%, ndërsa në vendin e parë është Arian Tahiri i PDK-së me 47.89%.

VV-ja është në balotazh por si e dyta edhe në Obiliq ku Halil Thaçi ka marrë 44.04%, ndërsa në vendin e parë është Xhafer Gashi me 46.47%.

Balotazh do të ketë edhe në Rahovec në mes Smajl Latifit të AAK-së i cili e prin garën me 37.28% dhe Ali Dulës së VV-së me 23.92%, njofton Klankosova.tv.

Po ashtu, pejanët do të votojnë edhe një herë në zgjedhje, pasi Gazmend Muhaxheri i LDK-së i ka marrë 46.11%, ndërsa Taulent Kelmendi 27.88%.

Kutive të votimit do t’i drejtohen sërish edhe prishtinasit, pasi në vendin e parë është Përparim Rama i LDK-së me 33.78%, ndërsa në vendin e dytë është Hajrulla Çeko me 32.98%.

Prizreni do të ketë po ashtu balotazh, pasi Shaqir Totaj i PDK-së mori 41.92% të votave, e Artan Abrashi mori 29.87%.

Në këto zgjedhje, VV-ja ka shkuar në balotazh edhe në Viti si i dyti, ku në garë është me Sokol Halitin e LDK-së i cili ka 37.99%, ndërsa Arsim Ademi i VV-së ka 33.55.

Po ashtu, në Vushtrri VV-ja ka shkuar në balotazh si parti e dytë, ku Ferit Idrizi i PDK-së e prin garën me 45.56%, ndërsa Sylejman Meholli i VV-së është i dyti me 30.63%.

The post VV-ja i fiton tri komuna me të parën, në 12 shkon në balotazh appeared first on Klan Kosova.