Gazetarja e Klan Kosova, Bardha Shala, ka intervistuar një familje me një mbiemër të veçantë në Prishtinë.
Ata janë familja Leskovci, të cilët prejardhjen e kanë po nga ky qytet, që dikur ishte i banuar me shqiptarë.
Korab Leskovci, djali i kësaj familje, ka treguar një historik të shkurtër të prejardhjes së mbiemrit të tyre.
“Më shumë se një shekull më parë, jemi kthyer në Prishtinë, paraardhësit tanë, të cilët kanë jetuar në Leskovc, dhe shkaku i luftës në Kosovë dhe pasi Serbia e mori Leskovcin, ne e kemi pasur tjetër mbiemër. Familja ime kur janë kthyer në Prishtinë, e kanë kthyer sërish mbiemrin Leskovci. Atëherë nuk kanë pasur dokumente për të dëshmuar se çfarë mbiemri keni pasur, prandaj e kanë rikthyer”, tha ai.
Duke iu referuar ndeshjes së mbrëmshme mes Serbisë dhe Shqipërisë, e cila u luajt po në Leskovc, Korabi tha se fitorja ka qenë një kënaqësi tepër e madhe.
Ndërkaq, ai tha se për mbiemrin, vazhdimisht e kanë pyetur nëse ai vjen nga Serbia, por shton se nuk përton të ua sqarojë të gjithë historinë e tij.
“Lojën mbrëmë e kamë ndjek, ka qenë tepër kënaqësi e madhe, nuk përshkruhet. Për mbiemrin tim, gjithmonë më pyesin se a jam nga Serbia, por unë nuk përtoj të ju tregoj se Leskovci është një qytet i Kosovës, por Serbia e ka marrë atë qytet”, u shpreh ai.
Babai i Korabit, Xhelali, që aktualisht është jashtë vendit, foli po ashtu për këtë çështje.
“Historia jonë është nga viti 1860. Babai i gjyshit ka jetuar në Leskovc, që kanë qenë muhaxhirët e parë që i kanë dëbuar nga qyteti i Leskovcit. Fati i tyre që janë ndalur në Prishtinë dhe nga ajo kohë e kemi mbajtur mbiemrin Leskovci non-stop”, tha ai, teksa shtoi se fitorja e mbrëmshme e Shqipërisë ndaj Serbisë “na bëri të gjithëve krenarë”.
“Shqipëria na ka bërë mbrëmë krenarë të gjithëve, sepse në qytetin tonë ka valuar flamuri kuqezi”, deklaroi Xhelali. /Klankosova.tv
The post Familja Leskovci nga Prishtina, tregon historikun e këtij mbiemri (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.