Të paktën 60 persona u vranë në një sulm me dron në një qytet të Sudanit

Të paktën 60 persona janë vrarë në një sulm me dron në një strehë për të zhvendosurit në El-Fasher, një qytet sudanez i rrethuar në prag të shembjes.

Komiteti i rezistencës për El-Fasher, i përbërë nga qytetarë dhe aktivistë vendas, tha se Forcat paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) goditën kampin Dar al-Arqam, i cili ndodhet brenda një universiteti, me dy sulme me dron dhe tetë predha artilerie.

“Fëmijë, gra dhe të moshuar u vranë me gjakftohtësi dhe shumë prej tyre u dogjën plotësisht”, thuhet në një deklaratë nga grupi, siç citohet nga agjencia e lajmeve AFP.

RSF ka rrethuar El-Fasher për 17 muajt e fundit, në një përpjekje për të marrë kontrollin e bastionit të fundit të ushtrisë sudaneze në rajonin e Darfurit.

Situata në El-Fasher ka “shkuar përtej katastrofës dhe gjenocidit”, tha grupi i rezistencës.

Uria dhe sëmundjet janë përhapur në të gjithë qytetin, ndërsa banorët përballen me bombardime të vazhdueshme dhe pakësim të furnizimeve ushqimore dhe mjekësore.

Sudani është shkatërruar nga konflikti që nga viti 2023, pasi komandantët e lartë të RSF-së dhe ushtrisë sudaneze u përçanë dhe pasoi një luftë e egër për pushtet – duke krijuar një nga krizat më të këqija humanitare.