Në fushë ka përjetuar shumë kënaqësi me Werder Bremen dhe kombëtaren kroate, por beteja më e madhe e ish-sulmuesit Ivan Klasnic po zhvillohet prej dekadash jashtë fushës së blertë. Në nëntor të vitit 2006, atij iu diagnostikua insuficiencë e rëndë renale, që e detyroi t’i nënshtrohej një transplanti të parë të dështuar, më pas një të dyti, me veshkën e dhuruar nga i ati.
Falë kësaj ndërhyrjeje, ai arriti të rikthehej në fushë dhe të merrte pjesë në “Euro 2008”, ku shënoi dy gola për Kroacinë. Në të njëjtën kohë, Klasnic nisi procesin gjyqësor kundër mjekëve të Werder Bremen, të cilët i akuzoi se kishin injoruar shenjat e sëmundjes që sot e shoqëron çdo ditë.
“Në futboll është e vështirë të vazhdosh pa përdorur qetësues, nëse do të japësh maksimumin, – ka rrëfyer Klasnic, – madje nuk besoj se mund të luash në nivel profesionist pa i përdorur ato. Po t’i kisha ditur problemet me veshkat, nuk do t’i kisha marrë kurrë ilaqet qetësuese”.
Prej vitesh, ish-lojtari i St.Pauli po përballet me probleme të rënda renale, të shkaktuara nga trajtime mjekësore të gabuara gjatë karrierës. “Jam ende gjallë për mrekulli”, – tha ai me dhimbje.
Mjekët e Werder Bremen, sipas hetimeve, vazhdonin t’i përshkruanin barna, edhe pse që në vitin 2003 analizat tregonin vlera jonormale të veshkave, pa ndërhyrë siç duhej. Kjo neglizhencë e çoi Klasnic të padiste klubin dhe të fitonte gjyqin, duke marrë 4.5 milionë euro dëmshpërblim.
Por, siç e pranon vetë, asnjë shumë parash nuk mund t’ia kthejë shëndetin e humbur: “Nuk ka rëndësi sa para kam marrë, ato nuk ma kthejnë shëndetin. I jam falënderues Zotit që jam ende gjallë, por nuk e di edhe sa jetë më ka mbetur”.
The post Denoncimi tronditës i Klasnic: Nuk e di sa jetë më ka mbetur, në futboll të shkatërrojnë me ilaçe appeared first on Telesport.










