Sulmet shkuan deri për ‘tradhti shtetërore’, Kushtetuesja shemb si me dorë akuzat e VV-së për “veto” të Srpska-s

Nuk ka ‘veto’ të Listës Serbe për konstituim të Kuvendit të Kosovës.

Tregimi që e shtyu përpara Vetëvendosje u rrëzua si me dorë nga Gjykata Kushtetuese në Pikën 148 të Aktgjykimit të tretë për seancën konstitutive.

Lista Serbe, u konstatua nga GjK, jo që s’ka veto për konstituim të Kuvendit, por as që mund të ketë.

Por, për sa kohë që propozon Nënkryetar të Kuvendit, që komuniteti serb e ka të garantuar me Kushtetutë të Kosovës, “dështimi i seancës i atribuohet” shumicë së deputetëve shqiptarë – tha Gjykata Kushtetuese në vendim.

Po të mos propozonte, saktësohet në Pikën 148, Kuvendi i Kosovës do të mund të shpallej i konstituuar dhe kryesia të funskiononte thjesht me kuorum.

Ehat Miftaraj, jurist në Institutin Kosovar për Drejtësi, ironizoi me ligjëratën e VV-së për “Veton” që Gjykata Kushtetuese do të mund t’ia njihte Srpska-s.

Shkroi se këtë “veto” e kanë përfolur “vetëm disa eksperta me korrespodencë…sepse kështu iu ka kërkuar Nëna parti dhe Dejonka”.

“Kushtetuesja nuk ia njeh te drejten e Vetos Listes Serbe. Sigurisht se nuk e njeh. E si me njofte Gjykata Kushtetuese nje te drejte te tile kur nuk eshte e percaktuar ne Kushtetute, praktike te Gjykates Kushtetuese apo praktike parlamentare. Qysh me njoh nje te drejte imagjinare dhe fiktive? Nejse kete Veto e kane permendur vetem disa eksperta me korrespodence made in Vuvuzela sepse keshtu iu ka kërkuar Nena parti dhe Dejonka”, tha Miftaraj.

Ndryshe nga Miftaraj vëren Albert Krasniqi nga Demokracia Plus – madje, ai këtë vendim e sheh të ndrojtur dhe nën “presionin politik” të Vetëvendosjes.

“Ky aktgjykim del të jetë i argumentuar dobët dhe kontradiktor në vetvete. Është e qartë se vendimi pasqyron mungesë profesionalizmi dhe guximi institucional, duke lejuar që presioni politik të triumfojë”, tha Krasniqi.

Eugen Cakolli nga Instituti Kosovar për Demokraci, në leximin e vet të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, tha se u saktësua se çështja e Nënkryetarit serb “është obligim kushtetues, e jo thjesht aspekt procedural”.

“Çështja duket se nuk është më ‘a do të konstituohet Kuvendi’, por ‘kush do ta bllokojë konstituimin’ – shumica shqiptare apo komunitetet”, tha Cakolli.

Por, Cakolli nuk sheh që as ky Akgjykim të ketë zgidhur gjë: në fund të fundit mbetet te vullneti politik, pohon ai, por që s’duket të jetë i realizueshëm.

“Po, komuniteti serb e ka një formë ‘vetoje’ – por që është relative, dhe shtrihet vetëm aq sa shumica shqiptare e lejon. Në fund, gjithçka varet nga vullneti politik i shumicës për ta respektuar frymën e Kushtetutës dhe për ta përmbyllur këtë proces”, tha Cakolli.

Ismet Kryeziu nga KDI-ja, megjithatë, prerazi thotë përgjegjësia për bllokimin e Kuvendit të Kosovës i takon shumicës shqiptare, përkatësisht Vetëvendosjes,.

“Gjykata po ashtu bëri të ditur se vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë një ose disa anëtarë të Kryesisë për arsye që nuk varen nga vullneti i shumicës, por për shkak të pengimit nga deputetë apo grupe të caktuara politike, përfshirë ato të komuniteteve pakicë, Kuvendi mund të vazhdojë funksionimin edhe pa njërin prej anëtarëve të Kryesisë. Për sa kohë që Kryesia ka kuorum për vendimmarrje”, tha ai./Nacionale