Publikimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese ka hapur debat të ri mbi mënyrën e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin e plotë rreth konstituimit të Kuvendit të Kosovës, që do të thotë se deputetët e zgjedhur duhet të konstituojnë organin e ri ligjvënës brenda afatit të mbetur prej 12 ditëve, gjithnjë duke respektuar procedurën e përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës dhe Rregulloren e Kuvendit të Kosovës.
Megjithatë, njohësit e çështjeve kushtetuese kanë vërejtur disa ‘anomali’ dhe ‘paqartësi’ në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, të cilat, sipas tyre, pasqyrojnë mungesë profesionalizmi dhe guximi institucional, duke lejuar të triumfojë presioni politik.
Albert Krasniqi nga ‘Demokraci Plus’ në Prishtinë ka listuar disa prej ‘kontradiktatve’ të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, duke filluar nga mënyra e votimit në pako për nënkryetarët deri te ‘legjitimimi’ i emërimeve të nënkryetarëve nga komunitetet joserbe, për të cilët, sipas tij, nuk ka pasur votim formal në Kuvendin e Kosovës.
“Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se votimi në pako për nënkryetarët nuk është shprehimisht i paraparë në kushtetutë – edhe pse është. Edhe nëse do të lejohej, duhej të vlejë për të gjithë nënkryetarët, jo që për grupet e mëdha të votohet në pako, ndërsa për përfaqësuesit e komuniteteve të veçohet procedura”, argumenton Krasniqi.
Ai tutje ka vlerësuar se mekanizmi “debllokues” që lejon votimin deri në tri herë për të njëjtin kandidat në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, nuk mund të përdoret për nënkryetarët, sepse, sipas tij, procedura për zgjedhjen e tyre është e ndryshme dhe votimi në pako e bën të pamundur identifikimin e kandidatëve të refuzuar.
Gjithashtu, ai vëren se edhe pse Gjykata Kushtetuese e njeh të drejtën ekskluzive të shumicës së deputetëve të komunitetit serb për të propozuar nënkryetarin e tyre, nuk e ka shpallur të paligjshëm votimin e kryetarit për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiç, i cili nuk ishte propozuar nga shumica e deputetëve të Listës Serbe.
“Gjykata Kushtetuese ka legjitimuar zgjedhjen e [kryetares së Partisë së Re Demokratike nga komuniteti boshnjak] Emilija Rexhepi si nënkryetare, ndonëse nuk ka pasur asnjë votim formal të kuvendit që do të justifikonte veçimin e procedurës”.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës thekson se, megjithëse disa pjesë të arsyetimeve nuk përputhen plotësisht me aktgjykimet paraprake të Gjykatës Kushtetuese, aktgjykimi ka qartësuar rrugën për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Cakolli konsideron se komuniteti serb ka një formë “vetoje” relative, që shtrihet vetëm sa e lejon shumica shqiptare, dhe në fund gjithçka varet nga vullneti politik i shumicës për të respektuar kushtetutën dhe për të përmbyllur procesin e konstituimit.
Ai shton se dilema nuk është “a do të konstituohet” Kuvendi i Kosovës, por “kush do ta bllokojë” konstituimin – shumica shqiptare apo komunitetet. Gjitjashtu, ai shpjregon se Lista Serbe ka të drejtë t’i propozojë sërish secilin prej 10 deputetëve serbë për pozitën e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës – deri në tri përpjekje për secilin kandidat.
E nëse asnjëri prej tyre nuk merr shumicën e votave, atëherë mund të propozohet edhe deputeti i 10-të, i cili është pjesë e komunitetit serb, por jo i Listës Serbe. Kjo është rruga e vetme ligjore për të përmbushur konstituimin, sipas interpretimit të Cakollit.
“Nëse Lista Serbe refuzon ta propozojë Rashiçin, atëherë Kryetari i Kuvendit të Kosovës ka të drejtë të zbatojë shortin. Gjykata Kushtetuese s’e ka vlerësuar këtë procedurë si kundërkushtetuese, prandaj ajo mbetet instrument legjitim për të shmangur bllokadën”.
Megjithatë, Cakolli ka theksuar se pika më e paqartë mbetet përgjegjësia politike në rast dështimi të procesit. “Nëse as pas shortit nuk zgjidhet nënkryetari serb, atëherë përgjegjësia bie mbi shumicën shqiptare, pasi komuniteti serb e ka konsumuar të drejtën e vet deri në fund”.










