Banka Botërore: Ngadalësohet rritja ekonomike në Kosovë

Sipas raportit të Bankës Botërore në Kosovë ka një rritje të inflacionit.

Ekonomia e Kosovës ka hyrë në një fazë ngadalësimi gjatë vitit 2025, ndërsa inflacioni është rikthyer si rezultat i çmimeve më të larta të energjisë dhe ushqimeve.

Kështu thuhet në raportin më të fundit të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, në të cilin theksohet se pas një rritjeje prej 4.4 për qind në vitin 2024, ekonomia e Kosovës është ngadalësuar në 3.6 për qind në tremujorin e parë të këtij viti. Kjo rënie lidhet kryesisht me uljen e konsumit të familjeve dhe dobësimin e kërkesës së jashtme për mallra dhe shërbime nga Kosova.

Kërkesa e brendshme, përfshirë edhe shpenzimet e qeverisë, si dhe rritja e çmimeve të ushqimeve, pijeve, energjisë dhe shërbimeve, kanë nxitur inflacionin në gjysmën e parë të vitit, thuhet në raport.

Në korrik 2025, inflacioni ka arritur në 4.3 për qind, duke çuar mesataren për periudhën janar–korrik në 3 për qind. Edhe inflacioni bazë është rritur, duke arritur një mesatare prej 1.5 për qind deri në të njëjtin muaj.

Në vitin 2024, pagat reale u rritën me 10.3 për qind, të mbështetura nga rritja e pagës minimale. Megjithatë, punësimi formal shënoi vetëm një rritje modeste prej 1.4 për qind në gjysmën e parë të vitit 2025.

Në anën tjetër, investimet kanë pasur një ecuri të mirë: bruto investimet në kapital u rritën me 13.6 për qind, duke gjallëruar aktivitetet në ndërtimtari dhe industri përpunuese, ndërsa edhe sektori financiar është zgjeruar në përputhje me kërkesën në rritje.

Importet janë rritur me 14.5 për qind në pesë muajt e parë të vitit, duke tejkaluar rritjen 12 për qind të eksporteve. Ndërkohë, dërgesat nga diaspora dhe investimet e huaja direkte kanë dhënë vetëm mbështetje të kufizuar, me rritje përkatësisht prej 3.5 për qind dhe 3.6 për qind deri në maj.

Banka Botërore ndër të tjera vëren në raport se vonesat e gjata në formimin e një qeverie të re mund të ndikojnë negativisht në klimën e investimeve dhe të ngadalësojnë zbatimin e reformave strukturore. Kjo mund të vonojë edhe qasjen në financime të jashtme, përfshirë Planin e ri të Rritjes së Bashkimit Evropian.

Një ndër sfidat e vazhdueshme për ekonominë kosovare mbetet emigrimi, i cili sipas Bankës Botërore është pengesë për zhvillimin afatgjatë. Raporti vë në dukje se potenciali i brendshëm i pashfrytëzuar, veçanërisht përfshirja e grave në tregun e punës, mund të luajë një rol kyç në rritjen ekonomike nëse shfrytëzohet në mënyrë efektive.