Kenan Gashi: Qeveria në detyrë po tejkalon kompetencat e saj ligjore dhe kushtetuese

Drejtori i organizatës AVONET, Kenan Gashi, ka reaguar pas mbledhjes së 270-të të Qeverisë në detyrë, duke e cilësuar shqetësuese miratimin e disa vendimeve që, sipas tij, përmbajnë kosto të lartë financiare për buxhetin e shtetit.

Sipas Gashit, këto vendime përbëjnë “tejkalim të qartë të kompetencave të një qeverie në detyrë” dhe bien ndesh me parimet e mirëqeverisjes, transparencës dhe përgjegjësisë institucionale.

Qeveria në detyrë ka mandat të kufizuar dhe funksionet e saj duhet të orientohen vetëm në sigurimin e vazhdimësisë administrative të institucioneve, jo në ndërmarrjen e vendimeve që krijojnë obligime të reja financiare, ndikojnë në buxhet apo në politikat afatgjata të shtetit,” ka theksuar Gashi.

Ai ka kujtuar se këto veprime bien ndesh me nenin 72 të Kushtetutës dhe nenin 31 të Ligjit për Qeverinë, të cilat përcaktojnë se një qeveri në detyrë nuk mund të ndërmarrë veprime që krijojnë obligime financiare për institucionet shtetërore.

Sipas tij, vendimet e tilla përbëjnë precedent të rrezikshëm për demokracinë dhe stabilitetin institucional të vendit, pasi mund të dëmtojnë procesin e tranzicionit institucional dhe të krijojnë pasoja të drejtpërdrejta financiare për buxhetin publik.

Qeveria në detyrë nuk duhet të marrë vendime që favorizojnë grupe të caktuara apo krijojnë perceptimin e përdorimit të resurseve shtetërore për përfitime politike. Këto veprime dëmtojnë besimin e qytetarëve në institucione dhe cenojnë parimin e barazisë dhe të drejtësisë publike,” ka shtuar ai.

Në fund, Gashi ka bërë thirrje që të rishikohen vendimet e tilla dhe të ndalet praktika e tejkalimit të kompetencave nga qeveritë në detyrë, duke theksuar se “qeverisja e përgjegjshme nënkupton respekt të ligjit, të qytetarëve dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës.”