Sot janë bërë 21 vjet nga rënia e dëshmorit Bahri Fazliu. Fazliu u vra më 7 maj të vitit 1998 në vendin e quajtur Bogiqe të Malit të Zi.
Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, e ka kujtuar atë duke thënë se do të jetë frymëzim për të gjitha brezat.
“Në kujtim të Bahri Fazliut – Gzimit Vitet po kalojnë Gzim. Ti me shokë mbete i ri. Ashtu siç do jesh frymëzim i ri për gjitha brezat. Aktivist, militant, ideolog, publicist, poet, artist, e luftëtar lirie. Ti me jetën, punën e luftën tënde e preke lirinë, dhe bashkë me shokë na e solle atë. Për 27 vjet u bëre edhe dëshmor. Sa shumë jetë për aq pak vite. Në këto kohë të turbullta, jeta jote është pishtar që na e ndriçon rrugën çdo ditë. Po na e ndriçon që të mos bëjmë gabime të mëdha, të mos futemi skutave të errëta, ku do të turpëroheshim kur të na kujtohesh ti. I përjetshëm do jetë kujtimi për ty”, ka shkruar Murati.
Kujtojmë se Fazliu ishte anëtar i LKÇK-së dhe pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.