Në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala, fillimisht anëtarja e Komisionit, Albulena Haxhiu, ngriti shqetësimin e saj për kërcënimet fundit, siç tha ajo, nga Blerim Devolli dhe ‘Z mobile’ për zbatimin e vendimit të Arbitrazhit për ekzekutimin e 26 milionë eurove.
Haxhiu kërkoi që komisioni të kërkojë që të pezullohet ky vendim nga Gjykata Themelore.
Po ashtu ajo shprehu një kërkesës ose peticion për një seancë të jashtëzakonshme lidhur me gjendjen në Telekom.
“T’i shkruajmë një letër Gjykatës Themelore fillimisht për pezullimin e vendimit të arbitrazhit ndërmjet Telekomit dhe Z mobile për ekzekutimin e 26 milionë euro, për shkak se është në hetim Telekomi nga Komisioni Hetimor”, tha Haxhiu.
Milaim Zeka, anëtar i komisionit, ka mbështetur iniciativën e Albulena Haxhiu për seancë të jashtëzakonshme. Mirëpo tha se nuk ka asnjë të drejtë ligjore Kuvendi që ti kërkoj gjykatës pezullimin e vendimit të arbitrazhit.
Visar Ymeri, tha se nuk duhet të dalim qesharak me këtë kërkesë, por ndoshta për këtë do të duhej Komisioni Hetimor të merrte mendimin e Zyrës Ligjore në Kuvend, ndërsa shtoi se ky komision edhe në të kaluarën ka kërkuar nga menaxhmenti dhe MZHE që mos të nënshkruhet ripërtrirja e kontratës me Z-Mobile. Ndërsa, Ymeri nuk ka përkrahur që seanca e jashtëzakonshme të thirret në emër të Komisionit Hetimor.
Edhe Armend Zemaj, anëtar, tha se kërkesa e Haxhiut duhet të përcillet në Zyrën e Ligjore të Kuvendit, ndërsa tha se është për seancë të jashtëzakonshme, por pa u përfshirë puna e Komisionit Hetimor, në mënyrë që të ketë rezultate.
Ai tha se vet puna e Komisionit Hetimor, ka nxitur Devollin për kërcënime me vendim të arbitrazhit.
Albulena Haxhiu tha se e kupton që Komisioni ti drejtohet zyrës ligjore, mirëpo sipas saj në bazë të përvojave, kjo zyrë mund ta zvarrisë këtë kërkesë.
Haxhiu tha se nëse nuk veprohet shpejt, përmbaruesi privat ka një rol kyç dhe mund t’i bllokoj xhirollogaritë e Telekomit, dhe të humben shumë miliona euro.
Komisioni Hetimor vendosi që kërkesa e Albulena Haxhiut për vendimin e arbitrazhit t’i drejtohet Zyrës Ligjore të Kuvendit, dhe sot brenda ditës kjo zyrë të kthejë përgjigje Komisionit.
Bekim Haxhiu anëtar, tha se marrëveshja e parë që është nënshkruar ndërmjet Blerim Devollit dhe Adnan Merovcit dhe kontrata e dytë ndërmjet Blerim Devoillit dhe Shyqëri Haxhës, nuk përputhen me emrin e njëjtë të kompanisë.
Haxhiu propozoi që të intervistohen nga ky Komision, Adnan Merovci, Shqyeri Haxha dhe Blerim Devolli.
Sipas tij, vetëm për gjashtë vitet e fundit të hyrat e Telekomit janë më pak për 400 milionë euro.
Ai tha se këto mjete kanë përfunduar në xhepa të dikujt. Ndërsa, potencoi se vetëm brenda një viti, Telekomi ka paguar 5 milionë euro për qira.
Komisioni Hetimor ka shqyrtuar sot edhe hartimin e listës së dëshmitareve që do të dëgjohen në Komision. Nga dita e premte do të nisë intervistimi i dëshmitarëve nga ana e Komisionit Hetimor./KosovaPress/