Suspendimi i Dialogut Strategjik “është krejtësisht i bazuar në veprimet e qeverisë kujdestare të Kosovës”, tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, duke demantuar kështu pretendimet e Albin Kurtit se gjoja kjo lidhet me përpjekjen e SHBA-së ta largojë Serbinë nga ndikimi rus.
“Çfarëdo sugjerimi që kjo ka të bëjë me Serbinë apo akterë të jashtëm është e pasaktë dhe përpjekje për të ikur nga çështjes thelbësore në pyetje”, tha zëdhënësi i DASh-it.
Këto shqetësime i janë thënë Albin Kurtit, tha zëdhënësi – dhe, për më tepër, “ia kemi bërë plotësisht të qartë pozicionin e ShBA-së”.
“Vendimi për të pezulluar dialogun strategjik bazohet tërësisht në veprimet e qeverisë kujdestare të Kosovës. Çdo sugjerim se kjo lidhet me Serbinë ose aktorë të tjerë të jashtëm është i pasaktë dhe një përpjekje për të larguar vëmendjen nga çështjet thelbësore të përfshira. Ne ia kemi shprehur shqetësimet tona drejtpërdrejt Kryeministrit dhe e kemi bërë qëndrimin e qeverisë së Shteteve të Bashkuara mjaft të qartë. Shtetet e Bashkuara do të jenë gjithmonë një mik i ngushtë i popullit të Kosovës dhe ne jemi plotësisht të përkushtuar ndaj partneritetit tonë. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara i inkurajojnë partnerët tanë të punojnë në mënyrë konstruktive për të siguruar stabilitet dhe siguri”, tha zëdhënësi i DASh-it për Nacionale.
“Ne duam të ecim përpara me qeverinë kujdestare, por na duhet një partner që e kupton nevojën për të shmangur veprimet destabilizuese dhe është i përkushtuar për të çuar përpara stabilitetin rajonal dhe për të mbrojtur të drejtat e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ne do të vazhdojmë të bëjmë vlerësimet për veprimet e qeverisë kujdestare. Nuk kemi asgjë tjetër për të njoftuar në këtë pikë”, shtoi zëdhënësi i DASh-it.