Milo: Kosova ka kohë që po bën gabime të pafalshme, s’ndodh ajo që ka në mendje Kurti

Ish-ministri shqiptar Paskal Milo komentoi për ‘Real Story’ qëndrimin e Kosovës në skenën ndërkombëtare, menjëherë pas konferencës në Kombet e Bashkuara.

Sipas Milos, grindjet e klasës politike në Kosovë nuk tërheqin vëmendje dhe se fokusi i amerikanëve ka shkuar ndaj Serbisë.

Më tej, Milo tha se Kosova po bën gabime të mëdha strategjike të cilat janë të pafalshme dhe nuk mund të jetojë pa një mbështetje të fuqishme të një faktori ndërkombëtar.

“Kosova nuk përbën lajm për tu afishuar në OKB, lajmi i keq është ai që përhapet më shpejt. Kosova e ka arritur pikën e ngopjes dhe nuk tërheq vëmendje, vetëm nëse ndodh një krizë më të madhe seç e kemi. Grindjet e brendshme të klasës politike nuk tërheqin më vëmendje, dhe Kosova me aq sa e gjykoj nga distanca, po braktiset nga fati i vet. Serbia e ka rritur potencialin e vet, dhe vëmendja e SHBA ndaj Serbisë është rritur. Serbia është një vend që ka më tepër peshë në llogaritë perëndimore”, tha ai.

”Objektivi është që Serbia të shkëputet nga influenca ruse. Perëndimoret, por edhe amerikanët e kanë gabim nëse mendojnë se do e tërheqin Vuçiç nga ana e tyre, nuk mund të fshijnë historinë dhe ta shkëpusin nga Rusia, madje nuk e tërheqin as nga Kina sepse është bërë donator ekonomik nga Serbisë”, tha Milo, përcjell abc news.

Më tej, Milo vlerësoi se Kosova po bën gabime tejet të mëdha në raport me pozitën e saj në Ballkan dhe tha se synimet e Kurtit nuk do të realizohen.

”Kosova ka shumë kohë që po bën gabime të mëdha strategjike, të pafalshme. Kosova nuk mund të mbijetojë pa një mbështetje të fuqishme të një faktori ndërkombëtar. Duhet të heqë dorë nga ambiciet e parealizueshme, nuk ndodh ajo që ka në mendje Kurti dhe partia e tij për shqiptarët në rajon dhe politikën rajonale. Një vend i vogël është i detyruar që të mbijetojë të ketë një aleat”, tha në fund Paskal Milo.