Më 12 shtator, Shtetet e Bashkuara i dhanë Kosovës goditjen më brutale ndonjëherë: pezullimin e Dialogut Strategjik. Në atë njoftim, aleati më i madh i Kosovës e përmendi kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti si fajtor të drejtpërdrejtë për dëmtim të marrëdhënieve. Rreth dy javë nga ky komunikim, Kurti u nis drejt vendit që ia drejtoi gishtin për çarje të raporteve – jo me peshën e një vizite shtetërore, por, deri më tani, të një ekskursioni privat.
Që nga 25 shtatori, kur Zyra e Kryeministrit njoftoi “nisjen për ShBA”, kalendari i Kurtit u mbush me takime periferike dhe fotografi me maksimumi ndonjë kongresist, si Keith Self, të pritur edhe atë në ambientet e Konsullatës së Kosovës në New York.
Faqja e ZKM prodhoi me bollëk njoftime për “takime me liderë e diplomatë të shteteve të tjera” në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, por asnjë për ndonjë takim me peshë me zyrtarë të lartë amerikanë.
Gjëja e vetme që ra në sy – për keq – ishte fjalimi në Institutin Zolberg me temën “Mbështetja e qytetarëve të thjeshtë në një krizë ekonomike globale: Çfarë mund të mësojë bota nga Kosova”. Por, më shumë se mbi mënyrat e mbështetjes së qytetarëve, audienca dëgjoi atë që për fat të keq është bërë refren i zakonshëm për qytetarët e Kosovës: përdredhje statistikash, pretendime groteske e krahasime të pasakta.
Gjatë këtij diskutimi me studentë, Kurti u lëshua edhe në teza skandaloze: se ShBA është kundër sundimit të ligjit dhe sovranitetit në veri – prandaj, sipas tij, u pezullua pa afat Dialogu Strategjik Kosovë–ShBA. Në kulm të kësaj logjike, ai pretendoi – me “me falni për sinqeritetin” – se plani amerikan qenka të mbajë të kënaqur Serbinë në kurriz të Kosovës, me shpresën për ta larguar nga Federata Ruse.
Pas këtij takimi, ZKM lëshoi edhe seri njoftimesh që e vulosën karakterin gati turistik të vizitës: “Kryeministri Kurti u mirëprit dhe bashkëbisedoi me Rrjetin e Profesionistëve dhe Sipërmarrësve Shqiptarë (APEN) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës; Kryeministri Kurti uron ditëlindjen ish-kongresistit amerikan me prejardhje shqiptare, Joe Dioguardi dhe bashkëshortes së tij, Shirley; Kryeministri Kurti takoi kongresistin amerikan, George Latimer” e të tjera.
Kujtojmë se më 12 shtator, ShBA theksoi se marrëdhënia me Kosovën ndërtohet mbi paqe, stabilitet dhe mirëqenie të përbashkët, ndërsa “veprimet dhe deklaratat e fundit nga kryeministri në detyrë Kurti” e kanë vënë në rrezik këtë progres.
“Marrëdhënia jonë me Kosovën është e mbështetur në një qëllim të përbashkët: fuqizimi i paqes dhe stabilitetit si një bazë për mirëqenie të përbashkët ekonomike. Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit nga kryeministri në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida ndaj progresit të bërë ndër shumë vite”.