Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë të hënën se marrëveshja për paqe në Gazë “është shumë afër” dhe se atë tashmë e ka pranuar Izraeli.
Ai ka thënë në një konferencë për media me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë se është duke punuar për të arritur paqen në gjithë Lindjen e Mesme.
“Kjo mund të jetë njëra prej ditëve më të mrekullueshme në civilizim”, ka thënë ai.
Lufta në Gazë është nxitur nga sulmet e militantëve të Hamasit – grup i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera – në tokën izraelite, në tetor të vitit 2023. Izraeli, më pas, ka nisur fushatë ushtarake për ta shkatërruar Hamasin.
Presidenti amerikan e ka prezantuar një plan për paqe prej 20 pikash, duke thënë se “njerëzve iu ka pëlqyer shumë” dhe e ka falënderuar Netanyahun që “është pajtuar” me të.
Ai ka thënë se plani është përpiluar në bashkëpunim me shumë shtete tjera dhe i ka falënderuar “liderët nga kombet arabe dhe myslimane” si dhe shumë aleatë në Evropë.
Çfarë parasheh plani?
Nëse nis të zbatohet, plani parasheh ndaljen e menjëhershme të operacioneve ushtarake. Në të thuhet se “linjat luftarake” ekzistuese do të ngrihen në vend.
Hamasi do të duhet t’i ulë armët dhe ato do të shkatërrohen. Brenda 72 orëve, ai duhet t’i lirojë 20 pengjet izraelite dhe trupat e pengjeve tjera që besohet se kanë vdekur.
Kur pengjet të jenë liruar, plani parasheh që Izraeli t’i lirojë qindra palestinezë të burgosur.
Kur të dyja palët ta pranojnë planin “do të dërgohet sasi e madhe ndihmash në Rripin e Gazës”.
Shtetet e Bashkuara e kanë përmendur në plan edhe udhëheqjen e Gazës në të ardhmen.
Aty thuhet se “një komitet palestinez teknokratik dhe apolitik” do të qeverisë përkohësisht “me mbikëqyrje të një trupi ndërkombëtar, Bordi i Paqes” i cili do të drejtohet nga Trump. Në të do të marrin pjesë edhe liderë tjerë shtetesh, përfshirë ish-kryeministrin britanik, Tony Blair.
Aty theksohet se Hamasi nuk duhet të ketë asnjë rol në qeverisje “direkte, jodirekte, apo të çfarëdo forme”.
Një pjesë e mirë në plan i është kushtuar atij që SHBA-ja e quan “plan për zhvillim ekonomik”, me qëllim të rindërtimit të Gazës. Aty përmendet se “Izraeli nuk do ta pushtojë apo aneksojë Gazën” dhe që forcat izraelite do të largohen nga territori në disa faza.
Plani e lë të hapur derën për një shtetësi palestineze.
Çfarë tha Trumpi?
Sipas presidentit amerikan, shtetet arabe dhe ato myslimane janë të përkushtuara për të “çmilitarizuar Gazën” sa më shpejt.
Mes tjerash, Trumpi ka thënë se plani parasheh shkatërrimin e tuneleve dhe qendrave të prodhimit që i posedon Hamasi.
Sipas presidentit amerikan, shtetet arabe dhe ato myslimane janë të përkushtuara për të “çmilitarizuar Gazën” sa më shpejt.
Mes tjerash, Trumpi ka thënë se plani parasheh shkatërrimin e tuneleve dhe qendrave të prodhimit që i posedon Hamasi.
Kërcënimi nga Hamasi do të “zhduket”, ka thënë ai, duke shtuar se mbështet Netanyahun “për të bërë atë që duhet bërë”.
Mes tjerash, Trump ka thënë se shumë palestinezë dëshirojnë të jetojnë në paqe, por që duhet “të marrin përgjegjësi” për fatin e tyre.
“Palestinezët e kanë pasur një jetë të vështirë me Hamasin. Por, nëse nuk pajtohen me këtë plan, ata nuk do të kenë kë ta fajësojnë përveç vetes”, ka thënë ai.
Sipas Trumpit, tani i takon Hamasit të pranojë këtë propozim “jashtëzakonisht të drejtë” dhe që detyra e ndërtimit të paqes nuk do të jetë e lehtë, mirëpo shumë jetë janë në rrezik dhe që duhet provuar.
Çfarë tha Netanyahu?
Kryeministri izraelit e ka nisur fjalimin e tij duke e falënderuar Trumpin për ftesën dhe ka përshkruar presidentin amerikan si “mikun më të mirë që Izraeli e ka pasur në Shtëpinë e Bardhë”.
“E mbështes planin tuaj për t’i dhënë fund luftës në Gazë”, ka thënë Netanyahu duke iu referuar planit për paqe.
Sipas tij, plani garanton që Izraeli nuk do të jetë më asnjëherë i kërcënuar nga Hamasi dhe nëse grupi nuk e pranon planin, atëherë Izraeli do të bëjë gjithçka “për ta kryer punën”.
Përgjatë konferencës, Netanyahu ka thënë se nuk është bërë e gjithë lufta që Hamasi të qëndrojë në Gazë.
Sipas tij, Autoriteti Palestinez nuk mund të ketë asnjë rol në Gazë pa iu nënshtruar një “ristrukturimi rrënjësor”.
Ai i ka falënderuar ushtarët izraelitë, të cilët, sipas tij, kanë luftuar “sikurse luanët” kundër “barbarizmit”.
Sipas tij, takimi i sotëm përbën hap kritik, jo vetëm për dhënie fund të luftës në Gazë, por edhe për paqe në gjithë Lindjen e Mesme.
Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se Trump dhe Netanyahu kanë biseduar përmes telefonit me kryeministrin e Katarit, Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim al-Thani gjatë takimit të tyre në Shtëpinë e Bardhë.
Mediat kanë raportuar se kryeministri izraelit i ka kërkuar falje al-Thanit për sulmet e Izraelit në Doha më herët gjatë këtij muaji.
Katari ka pasur rol kyç në konflikt meqë ka qenë nikoqir i negociatave në mes të Izraelit dhe Hamasit, mirëpo ky qëndrim është sfiduar pas sulmit të Izraelit në Doha.
Katari e ka dënuar sulmin dhe e ka parë si “shkelje të ligjit ndërkombëtar”.
Ofensiva izraelite në Gazë ka lënë të vdekur mbi 66 mijë palestinezë, kryesisht civilë, sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore palestineze, të cilat OKB-ja i konsideron kredibile.
Sipas grupeve ndërkombëtare të ndihmës, situata humanitare në Gazë është shumë e rëndë dhe palestinezët po vuajnë nga zia e bukës.