AUV shpall tender mbi gjysmë milioni euro për “shërbime të veçanta” – dyshime për shkelje të ligjit të prokurimit

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka zgjedhur një rrugë të pazakontë për të mbuluar një nga proceset më të ndjeshme dhe më të domosdoshme në vend, atë për kontrollin e tregut ushqimor. Në vend që të shpallë konkurs të rregullt për inspektorë, siç e parasheh ligji, AUV ka vendosur të angazhojë përkohësisht persona përmes një tenderi me vlerë mbi gjysmë milioni euro, duke i futur këto detyra në kategorinë e “shërbimeve të veçanta”, shkruan Demokracia.com.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, ka shpallur një tender me vlerë të parashikuar prej mbi 500 mijë euro, për angazhimin e 20 konsulentëve – kontraktorë individualë profesionalë, të cilët do të kryejnë detyra të inspektorëve në Drejtorinë e Inspektoratit.

Sipas dosjes së tenderit, konsulentët e kontraktuar do të angazhohen në: mbikëqyrje dhe kontrolle të ushqimit, inspektime të kushteve higjienike në objekte tregtare dhe gastronomike, marrje masash korrigjuese dhe shqiptim gjobash, shqyrtim të ankesave, këshillim të publikut dhe përgatitje raportesh. Me fjalë tjera, ata do të kryejnë funksione të plota që me ligj i takojnë inspektorëve shtetërorë të AUV-së.

Ky aktivitet është shpallur nga AUV si “shërbim i veçantë”, duke u futur në një kategori të prokurimit që ka procedura më të lehtësuara dhe më pak konkurrencë. Por vetë Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) ka paralajmëruar se ky klasifikim po keqpërdoret nga institucionet. Në një reagim të publikuar vitin e kaluar, KRPP ka konstatuar se shumica e tenderëve të tillë janë të kundërligjshëm, sepse nuk respektojnë nenin 57 të Rregullores Nr. 001/2022 për Prokurimin Publik.

Çfarë thotë ligji?

Sipas nenit 57 të kësaj rregulloreje, shërbimet e veçanta mund të kontraktohen vetëm kur:

  • ato nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rregullta të rekrutimit sipas Ligjit për Zyrtarët Publik, dhe
  • kanë të bëjnë me profesione të veçanta që nuk mund të mbulohen me stafin ekzistues të institucionit.

KRPP e ka thënë qartë: angazhimi i konsulentëve individualë përmes tenderëve është i pranueshëm vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe për profile të specializuara që nuk mund të plotësohen me punësime të rregullta.

Punësimet me tender, më në fund reagon KRPP, thotë se viteve të fundit, posaçërisht 2023/2024 disa institucione e shkelen ligjin

 

Ku qëndron shkelja?

Inspektimi nuk është shërbim i veçantë, por funksion shtetëror i rregulluar me ligj.

Angazhimi i përkohshëm i 20 personave përmes tenderit është në fakt një formë punësimi jashtë kornizës së shërbimit civil.

Legjitimiteti i masave (gjobat, vendimet inspektuese) që këta persona do të shqiptojnë është i dyshimtë, pasi nuk janë inspektorë të emëruar me ligj.

Pra, përmes këtij tenderi, AUV po kontrakton 20 persona për detyra që normalisht kërkojnë punësim në shërbimin civil dhe jo kontraktim përmes prokurimit publik.

Shpallja e këtij tenderi prej mbi gjysmë milioni euro nga AUV ngre dyshime serioze për shmangie të ligjit të prokurimit dhe ligjit të shërbimit civil, duke e përdorur kategorinë e “shërbimeve të veçanta” për punë që realisht janë funksione shtetërore.

Në këtë rast, KRPP duhet të japë opinion të qartë nëse ky tender është në përputhje me nenin 57 të Rregullores 001/2022 dhe nëse klasifikimi i tij si “shërbim i veçantë” është i ligjshëm.

Vlera e parashikuar e kontratës tenderit është 518,400.00 euro për 36 muaj.

Bëhet fjalë për Regjioni i Prishtinës – 4 ekspert, Regjioni i Gjilanit – 2 ekspert, Regjioni i Ferizajit – 3 ekspert , Regjioni i Prizrenit – 4 ekspert, Regjioni i Pejës – 4 ekspert, Regjioni i Mitrovicës – 3 ekspert. /Demokracia.com/