Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka dënuar me gjoba shtatë subjekte politike për shkak të shkeljeve të kryera gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor. Gjobat e shqiptuara arrijnë në shumën totale prej 36 mijë e 900 euro.
Tefik Mahmuti, ushtruesi i detyrës së drejtorit të PZAP-së, në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “Sot” në KTV, ka sqaruar se shkeljet e konstatuara ngjajnë me ato të fushatave të mëparshme zgjedhore. Ndër këto përfshihen përdorimi i gjuhës së papërshtatshme, vendosja e posterave në hapësira publike pa marrë lejen e nevojshme, organizimi i tubimeve në vende publike, si dhe përfshirja e fëmijëve në aktivitetet e fushatës.
“Duhet të them se PZAP-ja nga fillimi i fushatës më 13 shtator e deri tash ka marrë vendim ndaj 7 subjekteve politike që i ka gjobitur me gjobë totale prej 36 mijë e 900 eurosh”, tha Mahmuti.
Drejtori i PZAP-së ka njoftuar gjithashtu se subjektet politike kanë të drejtë të ushtrојnë mjete ligjore në varësi të shumës së gjobës: “…bazuar në Ligjin për zgjedhjet, nëse një subjekt gjobitet nën vlerën 5000 euro, atëherë s’ka të drejtë të ankohet në Supreme. Subjektet që gjobiten mbi 5000 euro kanë të drejtë të ankohen në Supreme. Subjektet kanë të drejtë të bëjnë edhe kërkesë në PZAP për rishikim të vendimit dhe të dërgohen prova shtesë”.
Fushata zgjedhore ka filluar më 13 shtator dhe vendimet e PZAP-së kanë vijuar deri në ditët e fundit.