Mbi 100 mijë euro të paguara për punë të paekzekutuara – Dyshime të mëdha mbi kontratën 242 mijë eurosh të Komunës së Fushë-Kosovës

Komuna e Fushë-Kosovës, para rreth tre-katër muajsh, ka përuruar një rrugë dy-kahore tek pishat e Sllatinës së Vogël. Rruga duhej të shërbente si shteg për ecje, çiklizëm e vrapim, por sot asfalti i saj ka nisur të çahet dhe plasaritet.

Rezultatet e rrugës janë tronditëse, pasi shkaqet e degradimit të shpejtë nuk lidhen vetëm me cilësinë e dobët të punimeve, por, sipas dokumenteve dhe informatave të siguruara nga Demokracia.com, edhe me faktin që një pjesë e madhe e shtresave të kontraktuara dhe të paguara dyshohet se nuk janë vendosur në terren.

Demokracia.com e ka vizituar rrugën dhe ka dokumentuar gjendjen e saj përmes fotografive dhe analizës së dokumenteve të kontratës.

Në gjysmën e vitit 2025, Komuna e Fushë-Kosovës inauguroi me ceremoni një rrugë të re dy-kahore tek pishat e Sllatinës së Vogël. Zyrtarët e komunës premtuan se kjo do të ishte një hapësirë moderne për shëtitje, çiklizëm dhe rekreacion.

Por pak muaj pas përurimit, asfalti i saj ka nisur të çahet. Çarjet e para janë shenja të hershme të një degradimi që pritet të përshpejtohet.

Kontrata dhe paramasa: projekte të fryra në letër

Projekti “Rregullimi i parkut tek pishat në Sllatinë të Vogël” ishte parashikuar të kushtonte 259,476 euro. Pas tenderimit, kontrata u nënshkrua më 19 tetor 2023 me kompaninë “EUROTRANS” SH.P.K nga Kaçaniku, për vlerën 242,838.75 euro, me afat përfundimi 60 ditë. Megjithatë, punimet përfunduan me mbi një vit vonës.

Në letër, paramasa dukej voluminoze dhe teknike, pasi rruga duhej të përbëhej nga 85 cm shtresa mbajtëse  (lloje gurësh), plus 7 cm asfalt, një standard i trashësisë së bazës me gurë që nuk aplikohet as në shumë rrugë nacionale, e lëre më për një shteg rekreativ.

Projekt pa projekt

Hetimi i Demorkacia.com tregon se procedura e tenderimit është nisur pa projekt kryesor dhe pa projekt ideor. Dokumentet mungojnë në përshkrime themelore, pasi rruga është shtrirë pa koordinata, nuk ka situacion të qartë, as profile gjatësore dhe tërthore.

Pra, tenderi është zhvilluar mbi një paramasë paushalle, e cila, ka dyshime se nuk plotëson kushtet minimale teknike për realizimin e një projekti të këtij lloji.

Çfarë u kontraktua dhe çfarë u punua realisht

Sipas kontratës dhe paramasës që janë të publikuara në E-prokurim, rruga duhej të përbëhej nga këto shtresa:

Asfalt-beton (AB16): 7 cm

Gur i thyer fraksion 0-31.5 mm: 20 cm

Gur i thyer fraksion 0-60 mm: 30 cm

Gur i thyer fraksion 60-150 mm: 35 cm

Në total, 85 cm shtresa mbajtëse + 7 cm asfalt. Por në terren, këto shtresa nuk ekzistojnë në masën e kontraktuar. Demokracia.com ka evidentuar, përmes matjeve, informatave jo zyrtare nga Komuna e Fushë Kosovës dhe dokumentimit me foto, se kontraktori ka kursyer materialin duke mos i vendosur ato sipas kontratës. Respektivisht, është vërejtur vetëm një shtresë gurori rreth 20 cm, jo sipas fraksioneve të specifikuara në paramasë dhe sasia e asfaltit.

Nga analiza del se vetëm në këtë pjesë, vlera e punëve të paekzekutuara arrin mbi 130 mijë euro. Megjithatë, këto punë janë pranuar dhe paguar në tersi nga menaxherja e projektit dhe mbikëqyrësi i kontratës.

Pozicione të paguara, por të papunuar

Pos vizitave në terren, Demokracia.com ka pranuar informata edhe nga vetë Komuna e Fushë-Kosovës për anomali në këtë kontratë, të cilat sipas burimeve jo zyrtare çojnë në keqpërdorim të fondeve

Bazuar në paramasën e projektit dhe ofertën e kontraktorit, për secilin pozicion, lista e parregullsive është e gjatë.

Kapitulli II ka të bëjë me  “PUNËT E DHEUT” dhe ka dy pozicione

Pozicioni 1 “Mihja e dheut me makinë në thellësi 70 cm, ngarkimi dhe transporti deri në deponi (deri 5 km largësi)”. Dyshohet ky pozicion (artikull) se nuk është realizuar fare: 10,587.50 m³ x 2.00 € = 21,175.00 €. Kjo është e lehtë për verifikim me një shpim në projekt.

Pozicioni 2 “Rrafshimi dhe nivelizimi i nënbazës me makinë me saktësi deri 3 cm, ngjeshja me cilindër vibrues dhe kompaktësimi Ms=300 kg/cm²”. Dyshohet se ky artikull nuk është realizuar: 15,125.00 m² x 3.00 € = 45,375.00 €, sa ka qenë oferta e kontraktuesit.

Kapitulli III ka të bëj me “OBJEKTET”

Pozicioni “Punimi i bankinave nga materiali rrethanor, guror, shpërndarja dhe ngjeshja me trashësi 12 cm”, dyshohet se nuk është realizuar qe ka qenë 412.50 m³ x 5.00 € në një vlerë prej 2,062.50 €.

Kapitulli IV ka të bëjë me  “SHTRESA QARKULLUESE” dhe ka disa pozicione

  1. Shtresa e tamponit me material guror 60–150 mm, trashësi 35 cm, Ms=400 kg/cm². Dyshohet se nuk është realizuar në sasi prej 5,293.75 m³ x 3.00 € = 15,881.25 €.
  2. Shtresa e tamponit me material guror 0–60 mm, trashësi 30 cm, Ms=400 kg/cm².  Dyshohet se nuk është realizuar: 4,537.50 m³ x 4.00 € = 18,150.00 €.
  3. Shtresa e tamponit me material guror 0–31.5 mm, trashësi 20 cm, Ms=600 kg/cm². Dyshohet se nuk është realizuar: 3,025.00 m³ x 4.00 € = 12,100.00 €.
  4. Shtresa e asfalt-betonit (AB16), trashësi 7 cm, përfshirë testimet laboratorike. Dyshimet janë se është realizuar me më pak sasi: 9,376.98 m² x 7.50 € = 70,327.35 €. Më pak të realizuara: 523.02 m², që përkthehet në 3,922.65 € të paguara më shumë.
  5. Vendosja e anësoreve të betonit (kufitarë) me dim. 18x24x15x100 cm.  Kontrata: 5,500 m x 6.00 € = 33,000.00 €. Realizuar: 4,371.00 m x 6.00 € = 26,226.00 €. Diferenca: 1,129 m më pak, ose 6,774.00 €.
  6. Shtresa e tamponit 0–31.5 mm për stazën e dedikuar. Dyshohet se nuk është realizuar: 550.00 m³ x 4.00 € = 5,200.00 €.

Po ashtu kapitulli V ka të beje me  “PARKINGJET” dhe ka disa artikuj

  1. Mihja e dheut në sipërfaqen e trotuarit, thellësia 35 cm, transporti deri në deponi (7 km). Dyshohet se nuk është realizuar: 175.00 m³ x 1.00 € = 175.00 €.
  2. Rrafshimi dhe nivelizimi i nënbazës me makinë me saktësi deri 5 cm, Ms=300 kg/cm². Dyshohet se nuk është realizuar: 500.00 m³ x 0.20 € = 100.00 €.
  3. Furnizimi dhe shtrirja e gjeotekstilit “GEOTEX”. Dyshohet se nuk është realizuar: 500.00 m³ x 0.90 € = 450.00 €.
  4. Shtresa e tamponit me zhavor natyral 0–140 mm, trashësi 30 cm, Ms=400 kg/cm². Dyshohet se nuk është realizuar: 150.00 m³ x 4.00 € = 600.00 €.
  5. Shtresa e bazamentit të trotuarit me zhavor 0–60 mm, trashësi 20 cm, Ms=600 kg/cm². Dyshohet se nuk është realizuar: 100.00 m³ x 4.00 € = 400.00 €. Kjo është e verifikueshme me një shpim të vogël të asfaltit.
  6. Shtresa e bazamentit të trotuarit me zhavor 31.5 mm, trashësi 15 cm, Ms=600 kg/cm². Dyshohet se nuk është realizuar: 75.00 m³ x 4.00 € = 300.00 €.
  7. Furnizimi me beton për anësoret, i lidhur me kubza. Kontrata: 30.00 m³ x 80.00 € = 2,400.00 €. Realizuar: 13.2 m³ x 80.00 € = 1,053.00 €. Diferenca: 1,344.00 €.
  8. Vendosja e anësoreve të betonit (kufitarë) me dim. 18x24x15x100 cm. Kontrata: 167.80 m x 7.00 € = 2,100.00 €. Realizuar: 132.00 m x 7.00 € = 925.40 €. Diferenca: 1,174.60 €.
  9. Vendosja e kubzave të betonit 20x10x8 cm, të atestuara sipas EN standardeve, ngjyrë hiri dhe kuqe. Kontrata: 500 m² x 7.00 € = 3,500.00 €. Realizuar: 531.00 m² x 7.00 € = 3,720.00 €. Tejkaluar me 220 m².

Kapitulli VI ka të bëjë me  “LËSHESAT” dhe ka 4 pozicione

  1. Pastrimi i terrenit për punimin e lëshesave (heqja e shkurreve, materialeve të forta, transporti në deponi).  Dyshohet se nuk është realizuar: 300.00 x 1.00 € = 300.00 €.
  2. Punimi i lëshesave me gypa betoni të armuar, diametër D=800 mm.  Nuk është realizuar: 20.00 m x 40.00 € = 800.00 €.
  3. Punimi i lëshesave me gypa betoni të armuar, diametër D=400 mm. Nuk është realizuar: 20.00 m x 30.00 € = 600.00 €.
  4. Furnizimi me beton C-25/30 për lidhjen ndërmjet gypave të armuar (zona e poshtme dhe e sipërme).  Nuk është realizuar: 10.00 m³ x 70.00 € = 700.00 €.

Demokracia.com ka dërguar pyetje në adresë të autoriteteve të Fushë-Kosovës, lidhur me atë se “A është kryer projekti sipas kontratës, pasi kemi informacione se ka pasur devijime nga kontrata?”. Por deri në publikimin e këtij artikulli, redaksia nuk ka pranuar përgjigje.

Demokracia.com, lidhur me devijimet e këtij projekti, fillimisht ka marrë informata jozyrtare nga zyrtarët e Komunës, e më pas kishte dalë në komunë. Jozyrtarisht, në komunë kanë thënë se: “Punë të parealizuara janë në vlerë prej 134,584.25 €, të cilat janë pranuar dhe paguar nga menaxherja dhe mbikëqyrësi i projektit. Projekti është inicuar pa projekt kryesor, por vetëm mbi një paramasë dhe parallogari paushalle nga autoriteti kontraktues. Kontraktori nuk ka zbatuar ofertën e vet, duke bërë ndryshime substanciale nga plani fillestar. Janë ofruar çmime nën vlerën e tregut, çka ka bërë që shumë pozicione të mos realizohen. Menaxherja dhe mbikëqyrësi i projektit i kanë pranuar këto pozicione pa punime reale. Mungojnë atestet për materialet dhe punimet e kryera. Rruga nuk plotëson kushtet teknike për përdorim”, ka bërë të ditur ky burim.

Demokracia.com, po ashtu i është drejtuar me pyetje edhe kompanisë kontraktuese që ka bërë ekzekutimin e punimeve, por as ata deri në publikimin e këtij hulumtimi nuk kanë dhënë përgjigje.

Fotografitë nga terreni e dëshmojnë qartë këtë dështim dhe keqpërdorim të buxhetit publik. Më poshtë mund të shihni fotografitë e realizuara nga Demorkacia.com dhe janë ilustruar me nga një përshkrim.

(Dyshime se shtresa e iamponit 0/31.5 nuk eshte vendosur)

(Qarja e asfaltit per shkak te mungeses se shtresave konstruktive prej 85 cm)

(Intervenim në asfalt për shkak të qarjes, menjëherë si është lëshuar në qarkullim)

(Lëvizje e gureve skajor per shkak te mungeses se shtresave konstruktive prej 85 cm dhe bankinave)

(Bartja e gureve ne rruge nga reshjet e shiut)

(Vërshimi i rrugës për shkak të vendosjes së gurëve skajor qe në këtë rrugë ishin të panevojshëm, pasi në rrugë të tilla rendon nuk vendosën)

(Siç shihet bankinat nuk janë ekzekutuar fare)

(Ekzekutimi i lesheses gypore nuk eshte kryer sipas paramases se kontraktuar-pa kokat hyrese dalese)

 

(FOTO nga rruga)

Më poshtë, pamje ne 3 D të publikuar nga komuna se si duhej të dukej rruga: