Donald Trump hap hetim federal ndaj Fondacionit të George Soros

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka nisur një hetim të gjerë ndaj Fondacionit “Shoqëria e Hapur”, të financuar nga miliarderi George Soros.

Sipas New York Times, Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Todd Blanche ka urdhëruar gjashtë zyra të prokurorëve federalë në Kaliforni, Nju Jork, Uashington D.C., Çikago, Detroit dhe Maryland që të verifikojnë akuzat ndaj degëve të fondacionit.

Pretendimet përfshijnë mbështetje të terrorizmit, mashtrim financiar dhe zhvatje, duke u bazuar kryesisht në një raport të organizatës konservatore Capital Research Center.

Ky raport pohon se Fondacioni ka shpërndarë mbi 80 milionë dollarë për grupe të dyshuara me lidhje me dhunë dhe terrorizëm, përfshirë organizatën palestineze al-Haq, e shpallur në vitin 2022 nga Izraeli si mbulim për aktivitete terroriste.

Në reagimin e tij, Fondacioni “Shoqëria e Hapur” ka mohuar kategorikisht akuzat, duke i cilësuar si të motivuara politikisht dhe një kërcënim për lirinë e fjalës. “Kur pushteti përdoret për të goditur disa, në rrezik janë të drejtat e të gjithëve,” thuhet në deklaratë.

Trump ka qenë shpesh kritik i Soros-it, të cilin e akuzon për financim të “kaosit politik” dhe për mbështetje të kundërshtarëve të tij, duke kërkuar në mënyrë të përsëritur hetimin dhe ndëshkimin e tij./Periskopi/