4 fitore radhazi, pa Yamal. Flet Flick: Kemi një grup fantastik, niveli i skuadrës është rritur

Barcelona fitoi 3-1 ndaj Real Ovideo dhe ruajti vendin e dytë në klasifikimin e La Liga-s. Kampionët në fuqi të Spanjës treguan sërish se dinë të përmbysin disavantazhe, të jenë rivali më i madh i Real Madridit për titull. Në mbrojtje të “kurorës”, trajneri Hansi Flick u shpreh pas suksesit të radhës: “Frenkie de Jong është shumë i rëndësishëm për ne, njësoj si Pedri. Në pjesën e dytë patëm më shumë kontroll dhe ritëm, çka e bëri ndeshjen më të vështirë për rivalët. Kjo tregon forcën e mesfushës sonë.

4 fitore radhazi pa Lamine Yamal? Kjo tregon se kemi marrë vendimet e duhura dhe se niveli i skuadrës është rritur. Kemi një grup fantastik”. Robert Lewandowski hyri nga stoli, por pati rol kryesor në këtë fitore: “Në futboll nuk luhet vetëm me 11 lojtarë. Kushdo që futet nga stoli duhet ta ndryshojë dinamikën e lojës.

Robert e bëri këtë, jo vetëm me golin, por edhe duke ndihmuar ekipin. Jemi të bindur se duhet ta luajmë sa më shumë topin. Jam i lumtur për tri pikët. Lewandowski e De Jong ishin vendimtarë. Edhe te goditjet standarde duhet të kemi më shumë zgjidhje. Sa për gabimin e Joan García, ndodh në futboll. Ai mbetet një portier i madh dhe reagoi siç duhet”.

Për polemikat mbi dëmtimin e Yamal në kombëtare dhe deklaratat e trajnerit të Spanjës, gjermani foli prerë: “Është mendimi i tij, kaq”.

The post 4 fitore radhazi, pa Yamal. Flet Flick: Kemi një grup fantastik, niveli i skuadrës është rritur appeared first on Telesport.