VV e jep si “lajm të jashtëzakonshëm” një indeks perceptimi për siguri, ku Kosova performon lart çdo vit

Performanca e Kosovës në raportin Gallup “Siguria Globale 2025”, ku renditet e para në Evropë dhe e treta në botë në Indeksin e Ligjit dhe Rendit, u dha nga Vetëvendosje si “lajm i jashtëzakonshëm”. Jehonë të madhe këtij raporti i dhanë edhe deputetët Albin Kurti, Xhelal Sveçla dhe Hekuran Murati në profilet e tyre. Megjithatë, ky vlerësim nuk përbën aspak risi për Kosovën: rezultatet e vendit në këtë indeks kanë qenë të larta tashmë prej gati një dekade.

Çka mat ky indeks?

Raporti i Gallup nuk është një renditje e “sundimit të ligjit” dhe as një pasqyrë e plotë e kriminalitetit. Ai mat kryesisht përceptimin e sigurisë dhe përvojat e raportuara nga qytetarët në përditshmëri.

Indeksi bazohet në katër pyetje të sondazhit vjetor:

  • sa të sigurt ndihen njerëzit duke ecur vetëm natën në lagjen e tyre,
  • niveli i besimit te policia lokale,
  • nëse kanë përjetuar vjedhje gjatë vitit të fundit,
  • dhe nëse kanë pësuar sulm.

Në këta tregues, Kosova rezulton shumë lart, duke e pozicionuar vendin në krye të Evropës dhe mes më të mirëve globalisht.

Çka duhet kuptuar nga ky klasifikim?

Indeksi mat perceptimin dhe përvojat e raportuara nga qytetarët, jo statistika zyrtare të krimit apo “cilësinë e shtetit të së drejtës”.

Megjithatë, rezultati mbetet pozitiv: tregon se, sipas përgjigjeve të qytetarëve, ndjesia e sigurisë në përditshmëri në Kosovë është shumë e lartë.

Komunikimi i Vetëvendosjes, ndonëse në përputhje me gjetjet e Indeksit të Ligjit dhe Rendit të Gallup për vitin 2025, nuk përmend se bëhet fjalë për një indeks perceptimi, jo për statistika të “krimit real”.

“Lajm i jashtëzakonshëm!

“Sipas raportit të organizatës amerikane Gallup “Siguria Globale 2025”, Kosova renditet e 1-ra në Evropë dhe e 3-ta në botë në Indeksin për Ligj dhe Rend, me gjithsej 94/100 pikë.” – shkroi Vetëvendosje në Facebook.

Postimin e shpërndau edhe deputeti Hekuran Murati, duke theksuar se “Ky është lajm që do duhej t’i gëzohej edhe opozita.”

Ndërkaq, ministri Sveçla e paraqiti rezultatin si të jashtëzakonshëm në historinë e Kosovës, duke falënderuar strukturat e sigurisë dhe qytetarët për kontributin e tyre të përditshëm.

“Si ministër i brendshëm përfitoj nga rasti të falenderoj çdo pjesëtar të strukturave të sigurisë për përgjegjësinë e lartë dhe çdo qytetar për kontributin e përditshëm.” – shkroi Sveçla ndër të tjera.

Në të vërtetë, kjo nuk rezulton në lajm të madh pasi Kosova ka shënuar rezultate tejet të larta ndër vite në këtë raport.

Edhe nëse kthehemi në vitin 2017, Kosova ka shënuar 85 pikë në të njëjtin indeks. Më pas, vlerësimi është rritur gradualisht: prej vitit 2022 e tutje, Kosova ka mbajtur rreth 90 pikë, duke kulmuar me rezultatin 94/100 të raportit të fundit.

Pra, edhe rreth një dekadë më parë, Kosova kishte rezultate jashtëzakonisht të larta, vetëm disa pikë më poshtë se rezultati i fundit i vitit 2024-2025.

Edhe sot bëjnë panik për rrezik nga Serbia e Rusia, VV tash publikon një raport të Gallup-it ku e vendos Kosovën vendin më të sigurt në Evropë