Njëra ndër aferat më të mëdha të Qeverisë Kurti II, kontrata për funksionalizimin e fabrikës së mbetjeve shtazore në Parkun Industrial të Drenasit, deri më sot nuk është audituar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA). Kjo, ndonëse për këtë projekt tashmë ka nisur hetimi i Prokurorisë Speciale dhe është vënë në qendër të dyshimeve për mënyrën se si është dhënë me qira fabrika nga ministria e drejtuar nga Faton Peci, shkruan Demokracia.com.
Në media ishte publikuar një hulumtim që zbardhi pronësinë e bizneseve të cilat fituan një kontratë për funksionalizimin e fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore. Kontrata për fabrikën në Drenas u dha më 10 janar 2025 dhe u nënshkrua nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci.
Fillimisht, më 19 korrik 2024, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë publikoi thirrjen e parë publike për kompanitë që do të aplikonin për të marrë me qira objektin e fabrikës dhe funksionalizimin e saj. U raportua se kompania kosovare LIP KS & IT SH.P.K. u përzgjodh për ta funksionalizuar fabrikën, me afat operimi për 20 vjet deri në vitin 2044. Por kjo kompani ishte regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) vetëm pesë ditë pas thirrjes për aplikim.
Demokracia.com ka kërkuar përgjigje nga Zyra Kombëtare e Auditimit se pse nuk është audituar kjo kontratë, pasi ZKA në qershor të vitit 2024 publikoi Raportin e Auditimit për pasqyrat financiare të Ministrisë së Bujqësisë për vitin 2024.
Megjithëse procesi u iniciua dhe u zhvillua pothuajse i tëri gjatë vitit 2024, kontrata u nënshkrua në dhjetditëshin e parë të vitit 2025. Për këtë arsye, ZKA tha se ajo i takon vitit 2025. “Ju njoftojmë se kjo kontratë nuk është përfshirë në auditimin e Pasqyrave Financiare Vjetore të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për vitin 2024, sepse është nënshkruar në vitin 2025. Për këtë arsye kontrata nuk ka qenë pjesë e fushëveprimit të auditimit dhe rrjedhimisht në vitin 2024 nuk ka pasur asnjë transaksion”, thuhet në përgjigjen e ZKA-së për Demokracia.com.
Demokracia.com ka pyetur Zyrën për informim të Auditorit nëse, duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj kontrate dhe përfshirjen e fondeve publike, planifikohet të kryhet auditimi i veçantë ose kontrolle të tjera mbi këtë kontratë në të ardhmen, dhe nëse po, kur pritet të ndodhë ky auditim.
Auditori ka lënë të hapur mundësinë që kontrata të auditohet në kuadër të sezonit 2025/2026, varësisht nga niveli i riskut dhe rëndësia që i atribuohet nga plani vjetor i auditimit.
“Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) është në proces të përgatitjes së Planit Vjetor të Auditimit për sezonin auditues 2025/2026, i cili përcakton subjektet dhe temat që do të auditohen. Prandaj, në këtë fazë nuk mund të konfirmojmë nëse kontrata për funksionalizimin dhe operimin e fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore do të përfshihet në plan si auditim i veçantë apo do të trajtohet në kuadër të procesit të auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për vitin 2025. Hartimit të këtij plani i paraprin analizimi i fushave dhe temave potenciale për auditim, duke marrë parasysh nivelin e riskut dhe rëndësinë e tyre, si dhe kapacitetin e burimeve njerëzore në dispozicion”, thuhet tutje në përgjigjen e ZKA-së.
Fabrika për përpunimin e mbetjeve shtazore, një projekt prej 7.7 milionë eurosh i bashkëfinancuar nga Komisioni Evropian, kishte përfunduar që në vitin 2019, por u vu në funksion vetëm në vitin 2024. Ajo iu dha me qira kompanisë “LIP KS & IT SH.P.K.” për 20 vjet, në këmbim të një qiraje prej vetëm 30 mijë eurosh në vit, ndërkohë që përfiton subvencione mbi 3.2 milionë euro çdo vit. Kontestet kryesore lidhen me faktin se kompania ishte regjistruar në ARBK vetëm pesë ditë pas hapjes së thirrjes dhe nuk kishte përvojën e kërkuar për trajtimin e mbetjeve shtazore.
U raportua se aksionarë të kompanisë fituese janë një kosovar, si drejtor menaxhues i saj, dhe dy kompani të tjera, njëra me adresë në Mal të Zi e tjetra në Itali.
Kompania me adresë në Podgoricë thuhet të jetë në pronësi të një kompanie tjetër, me seli në Serbi.
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, dhe kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Bekim Hoxha, në maj u morën në pyetje nga prokurorët, mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare në një rast që ka të bëjë me funksionalizimin e kësaj fabrike. /Demokracia.com/