Totaj përuron fillimin e punimeve në 17 akse rrugore në lagjen “Jeta e Re”

Filluan sot punimet për ndërtimin e 17 akseve rrugore në lagjen “Jeta e Re”, një projekt i Drejtorisë së Shërbimeve Publike që synon përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të jetesës për banorët e kësaj zone. Projekti përfshin ndërtimin e infrastrukturës nëntokësore (kanalizimin fekal e atmosferik), kubëzimin e rrugëve, trotuaret dhe ndriçimin publik.

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, theksoi rëndësinë e këtij projekti për zhvillimin e lagjes:

“Me këtë investim të rëndësishëm synojmë ta përmirësojmë ndjeshëm cilësinë e jetës për banorët e ‘Jeta e Re’. Infrastruktura e re rrugore dhe nëntokësore do të krijojë kushte më të mira për qarkullim dhe do të ofrojë ambient më të sigurt dhe të shëndetshëm për familjet që jetojnë këtu”.

Ai shtoi se investimet në infrastrukturë janë prioritet për komunën:

“Jemi të përkushtuar që të vazhdojmë me projekte të ngjashme në të gjitha lagjet e Prizrenit, për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm dhe përmirësim të cilësisë së jetës së qytetarëve tanë”.

Projekti parashikohet të përfundojë brenda afateve të planifikuara, duke sjellë ndryshime pozitive në infrastrukturën e lagjes dhe duke kontribuar në zhvillimin urban të Prizrenit.