Miliona euro për subvencione drithërash, por Kosova mbetet e varur nga importet dhe prodhimi vendor nuk rritet

Për tre vite rresht, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural që udhëhiqet nga, Faton Peci ka ndarë dhjetëra milionë euro për subvencione në sektorin e drithërave, me premtimin se do të nxiste prodhimin vendor, do të rriste sigurinë ushqimore dhe do të ulte varësinë nga importi. Por të dhënat zyrtare të publikuara nga vetë ministria, tregojnë një pamje krejt tjetër, se pavarësisht injektimit të madh të parasë publike, importet e grurit, misrit, tërshërës dhe thekrës jo vetëm që nuk janë zvogëluar, por në disa raste kanë shënuar rritje të ndjeshme, shkruan Demokracia.com.

Më 1 gusht, MBPZHR ka ngarkuar ne faqen e saj raportin më të dhënat zyrtare “Analiza e tregut të drithërave 2021 – 2023”. Pra aty, nuk janë përfshirë statsikat për 2024.

Në Kosovë fushat e drithërave mbulojnë mbi një të pestën e tokës bujqësore dhe ushqimi është shqetësim i përditshëm për mijëra familje, ndërkohë shteti ka derdhur miliona euro në xhepët e fermerëve.

Nga 5.7 milionë euro në 2021, subvencionet për sektorin e drithërave u katërfishuan në 32 milionë euro në 2022 dhe mbetën në nivelin e lartë prej 25.9 milionësh në 2023, sipas analizës së Departamentit të Analizave Ekonomike dhe Statistikave Bujqësore (DAESB) të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR). Synimi ishte rritje e sipërfaqeve të mbjella, përmirësim i rendimentit, ulje e varësisë nga jashtë dhe kontroll i çmimeve. Por,  bazuar ne raportin zyrtarë të ministrisë, realiteti flet ndryshe, prodhimi ra me 8% në 2023, importet vazhdojnë të rriten në sasi dhe vlerë, ndërsa fermat e Kosovës mbeten të paplotësuara në 70% të nevojave vendore. Tash, çështja është se po harxhohet paraja e tatimpaguesve në një sistem që nuk jep fryte, apo është koha për një reformë të thellë?

Nga 75  euro/ha në 304  euro/ha, por sipërfaqja nuk lëviz

Raporti i DAESB-së, i publikuar në gusht 2025, nxjerr në pah një rritje mbështetjes direkte përmes Programit të Pagesave Direkte (PPD). Në 2023, 63% e këtyre fondeve, rreth 16.2 milionë euro shkuan për grurin, kulturën kryesore me 80 mijë hektarë sipërfaqe, ndërsa misri mori 35% ose 9 milionë euro. Pagesat për hektar u rritën dramatikisht: nga 75 €/ha për grurë në 2021 në 204 €/ha në 2023, misri nga 150 €/ha në 229 €/ha, dhe farë gruri arriti kulmin me 304 €/ha. Për më tepër, u shtuan pagesa për rendiment (0.03 €/kg për grurë, 0.04 €/kg për farë gruri), naftë (54 €/ha ose 150 litra/ha) dhe pleh (150 €/ha për grurë, 100 €/ha për misër).

Kjo mbështetje u nda tek 16,525 fermerë për grurë (nga 17,250 aplikues) dhe 12,482 për misër, duke mbuluar 64,395 ha për grurë dhe 39,467 ha për misër. Në total, drithërat morën 41% të gjithë pagesave direkte bujqësore në 2023, krahasuar me 23.8% në 2021. Por, çfarë ndodhi në fushë? Sipërfaqja totale me drithëra u rrit vetëm me 0.05% në 124,681 ha, ndërsa prodhimi total ra në 477,149 tonë, një ulje e theksuar nga 518,724 tonë në 2022. Gruri, që dominoi 64.2% të sipërfaqes, pa një rënie 8.3% në rendiment (3.79 ton/ha), ndërsa misri 7.8% (4.06 ton/ha). Tërshëra, elbi dhe thekra ndoqën trendin e ngjashëm, me rënie nga 3% deri në 6.7%.

Pra, bazuar në të dhënat e raportit, ka një paradoks, pasi miliona euro u derdhen për të rritur sipërfaqen dhe rendimentin, por asgjë nuk ndryshon. Raporti e shpjegon me “kushtet e pafavorshme klimatike dhe faktorë të tjerë”, si moszbatimi i masave agroteknike.

Importet në Rritje: 54.5 Milionë euro në 2023, bilanc negativ dhe varësi e thekur

Nëse subvencionet nuk po funksionojnë, bazuar ne të dhënat e raportit, tregtia flet qartë se Kosova është një importuese e madhe e drithërave. Sipas këtij raporti, në 2023, importi arriti 54.5 milionë euro për 207,042 tonë, një rritje e vazhdueshme në sasi, pavarësisht rënies së vlerës krahasuar me 2022 (nga 54.5 në 52.5 milionë euro për kodin doganor 10). Gruri dominoi me 65.9% të importeve (43.6 milionë euro për 161,000 tonë, kryesisht nga Serbia 59% dhe Ukraina 13%), ndërsa misri 16.7% (11.1 milionë euro për 41,112 tonë nga Serbia 71%). Edhe për elbin, tërshërën dhe thekrën, importet mbeten të nevojshme për të plotësuar nevojat.

Eksportet ishin shumë modeste, vetëm 321,000 euro për 5,522 tonë, me grurin dhe misrin që zinin 96%. Bilanci tregtar negativ arriti -52.2 milionë euro për drithërat, duke u rritur nga -38 milionë në 2021. Për produktet e industrisë bluajtëse (kod 11), importi ishte 13.6 milionë euro, me bilanc negativ -11.7 milionë. Kjo varësi nuk u ul, plotësimi i nevojave vendore ra në 70% në 2023 (nga 76% në 2021), me grurin në 66% dhe elbin në 46%. Konsumi për kokë banori u rrit në 214 kg, por prodhimi vendor nuk e ndoqi ritmin.

Nga raporti del se çmimet në fermë reflektojnë këtë dobësi, ato ranë me 31% për grurin (0.20 €/kg), 41% për misrin (0.19 €/kg) dhe 58% për thekrën (0.27 €/kg) në 2023, përveç elbit (+8% në 0.40 €/kg). Këto luhatje vijnë nga varësia ndërkombëtare, por subvencionet nuk arritën të stabilizojnë tregun e brendshëm.

Pra, Ministria e Bujqësisë ka shpërndarë shuma të mëdha për fermerët, ku vetëm në vitin 2022 pagesat direkte për drithëra arritën në mbi 25 milionë euro, duke përbërë më shumë se gjysmën e gjithë pagesave direkte të sektorit. Por, në vend të rritjes së dukshme të prodhimit vendor, tregu bujqësor kosovar po vazhdon të dominohet nga importet.

Për kulturat si tërshëra dhe thekra, të dhënat e importit tregojnë se subvencionet nuk kanë arritur të krijojnë konkurrencë të qëndrueshme përballë prodhimit të jashtëm. Në disa raste, si te misri, subvencionet kanë shkuar paralelisht me rënie të çmimit, duke i lënë fermerët të pambrojtur ndaj tregut.

Nëse ky trend vazhdon, politikat aktuale të subvencioneve rrezikojnë të perceptohen më shumë si një mekanizëm financiar për shpërndarje të parasë publike sesa si një instrument zhvillimi afatgjatë për bujqësinë dhe sigurinë ushqimore të vendit. /Demokracia.com/

(RAPORTI)