Planifikimi i ftohtë i vrasjes, shenjë e psikopatisë te Naim Murseli?

Sot, Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj, ka dalë sërish para gjykatës.

Në këtë seancë dëshmoi ish-ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës së Psikiatrisë Forenzike, Shpend Haxhibytyqi.

Për këtë çështje u diskutua edhe në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova.

Gazetari Vullnet Krasniqi tha se rasti po hyn në një fazë më interesante, pasi sipas tij, vetë Murseli pritet të fillojë një “mbrojtje publike”, për shkak se nuk i kanë mbetur më mjete të tjera ligjore.

“Problemi kryesor për mua është fakti që atij po i jepet e drejta e fjalës publike gjatë seancave”, tha Krasniqi, transmeton Klankosova.tv.

Ndërkaq, ekspertja e kriminalistikës, Dita Çapraz, u shpreh se rasti ngre dyshime për prani të çrregullimeve të personalitetit te i akuzuari.

“Edhe pse nuk ka çrregullime mendore, mund të ketë ndonjë çrregullim të personalitetit, ku nuk përjashtohet as psikopatia. Mënyra se si është porositur dhe planifikuar krimi me gjakftohtësi na jep idenë se i akuzuari mund të ketë tipare të këtij lloji të personalitetit”, tha ajo.