Kërcënimi rus mbi Estoni/ Këshilli i Sigurimit të OKB, thërret seancë të posaçme

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mban këtë të hënë një takim emergjent për të diskutuar ndërhrjet e Rusisë në hapësirën ajrore estoneze.

Estonia kërkoi takimin urgjent pasi tre avionë luftarakë rusë MiG-31 hynë në hapësirën e saj ajrore mbi Gjirin e Finlandës pa leje të premten. Avionët qëndruan për 12 minuta para se të ndaloheshin nga avionët e NATO.

Sipas Ministrisë së Jashtme estoneze, Këshilli i Sigurimit pritet të diskutojë atë që ministria e përshkroi si një “shkelje të pamatur dhe flagrante të hapësirës ajrore të NATO” dhe “shkeljet e përsëritura të së drejtës ndërkombëtare” nga Rusia

Ministria Ruse e Mbrojtjes ka mohuar se avionët e saj kanë hyrë në hapësirën ajrore të Estonisë, duke këmbëngulur se fluturimet u kryen në përputhje të rreptë me rregullat ndërkombëtare.

Ukraina gjithashtu ka paraqitur një kërkesë për të marrë pjesë në takimin e Këshillit të Sigurimit dhe për të paraqitur qëndrimin e saj. Kërkesa iu drejtua Republikës së Koresë së Jugut, e cila mban presidencën e rradhës të këshillit.

Pas shkeljes së hapësirës ajrore, Estonia ka kërkuar gjithashtu konsultime sipas Nenit 4 të NATO, mekanizmi që i lejon çdo anëtari të sjellë zyrtarisht një çështje në vëmendjen e organit kryesor vendimmarrës politik të aleancës dhe në takim do të zhvillohet këtë javë.

Estonia është anëtari i dytë i NATO që ka kërkuar konsultime sipas Nenit 4 ditët e fundit, pas kërkesës së Polonisë javën e kaluar pasi disa dronë dhe avionë luftarakë rusë hynë në hapësirën e saj ajrore.

Ndërkohë forcat suedeze dhe gjermane raportuan të dielën se avionë të tipit JAS 39 Gripen suedezë dhe avionë të tipit Eurofighter gjermanë u ngritën mbi Detin Baltik Jugor për të identifikuar dhe monitoruar një avion rus IL-20 që fluturonte në hapësirën ajrore ndërkombëtare pa një plan fluturimi ose kontakt radiofonik.